LAJMI I FUNDIT:

Rritja e çmimit të bukës thellon varfërinë

Rritja e çmimit të bukës thellon varfërinë

Partia Fryma e Re (FER) ka ngritur shqetësimin rreth paralajmërimeve të furrtarëve të Kosovës se çmimi i bukës në Kosovë do të shtrenjtohet deri në 60 centë. FER ka propozuar një takim urgjent në mesë të Shoqatës së Mullisëve të Kosovës dhe Shoqatës së Furrtarëve të Kosovë për të diskutuar daljen nga kriza.

Sipas një njoftimi për media të FER-it, në një shtet të varfër si Kosova, ku 47 për qind e popullatës jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë dhe 18 për qind e popullatës jetojnë me më pak se 92 centë në ditë, rritja e tillë e çmimeve të bukës ka pasoja marramendëse për rritjen e shkallës së varfërisë.

“Kosova, me vite me radhë ka dështuar në politikat për zbutjen e varfërisë, e kësaj radhe po dështon edhe në parandalimin e rritjes së varfërisë. Mungesa e politikave afatgjate shtetërore në bujqësi dhe ekonomi ka ndikuar që sot të varemi kryekëput nga çmimet e importeve, edhe për produktet më strategjike siç janë drithërat”.

Sipas FER-it, aktualisht Kosova është një ndër shtetet e pakta në Evropë që nuk kanë politikë të rezervave shtetërore të ushqimit për produktet strategjike ushqimore, e që mund të ndikojnë në rritjen e shkallës së varfërisë.


“Partia Fryma e Re propozon që menjëherë të organizohet takimi me Shoqatën e Mullisëve të Kosovës dhe Shoqatën e Furrtarëve të Kosovë për të diskutuar daljen nga kriza, ndërsa në të njëjtën kohë të punohet sa më shpejtë në politikat afatgjate, që e mbrojnë Kosovën nga lëkundjet e mëdha të çmimeve të produkteve strategjike”, thuhet në komunikatën për media të kësaj partie joparlamentare. /Telegrafi/