LAJMI I FUNDIT:

Sfidat ekonomike

Sfidat ekonomike

Qeveria e ardhshme e Kosovës, e cila pritet të formohet gjatë këtij muaji, duhet të ndryshojë qasjet që deri më tash kanë pasur qeveritë e kaluara ndaj politikave për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike. Ata thonë se Qeveria e re do të ketë para vetes mjaft sfida në rrafshin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se disa nga këto sfida kërkojnë qasje të menjëhershme të ekzekutivit të ri. Sipas tij, problem është papunësisë e madhe e cila do të jetë sfida më e madhe për qeverinë e ardhshme.

"Problemi tjetër është problemi i deficitit shumë të lartë në bilancin e tregtisë së jashtme, që ai i vitit 2010 do t’i ofrohet përafërsisht 2 miliardë euro deficit. Ky problem mund të zgjidhet vetëm përmes zhvillimit të ekonomisë vendore dhe substituimit të importit me prodhimtari vendore”, thotë Bektashi.

Ai ka shtuar se një sfidat problematike me të cilat do të përballet qeveria e re do të jetë edhe lufta më efikase e ekonomisë joformale. “Në periudhën e ardhshme të mandatit katërvjeçar, duhet që kjo ekonomi, ky joformalitet, të zvogëlohet në kushte normale, diku rreth 10 apo 15 për qind të pjesëmarrjes së saj në krijimit të GDP. Qeveria e mëparshme ka filluar një operacion të zvogëlimit të ekonomisë joformale përmes futjes së arkave fiskale. Unë besoj që ky operacion, kjo fushatë, do të ndikojë që të rritet buxheti i Kosovës, së paku për 50 apo 60 për qind”, vlerëson Bektashi.


Edhe Isa Mulaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike thotë se ekonomia joformale do të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë së ardhshme. “Ndër më kryesoret, do ta theksoja stabilitetin e institucioneve ose bartësve të politikave ekonomike në Kosovë. Por, ai projekt, sipas të gjithë treguesve, duket të jetë i dështuar. Prandaj, këtu kërkohet një analizë e gjithanshme se çka nuk shkoi ashtu siç duhet me këtë projekt dhe si të vazhdohet më tutje”, tha Mulaj.

Ai gjithashtu ka shtuar se sfidë për ekzekutivin e ri do të jetë edhe vazhdimi i realizimit të projekteve kapitale. “Nuk dihet saktësisht se si do të sigurohet financimi për vazhdimin e atyre projekteve. Ndër më kryesoret është autostrada Vërmicë – Merdare, për të cilën, momentalisht, nuk ka aq shumë burime të sigurta”, thotë Mulaj.

Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve të ekonomisë kanë theksuar se nevojitet ndërmarrja e masave urgjente nga qeveria e re, për t’ju qasur problemeve të shumta.

Siç kanë theksuar ata, për një gjë të tillë, kërkohet bashkëveprim dhe ndërlidhje edhe me qeveritë e shteteve mike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe krijimi kontakteve me kompanitë e huaja multinacionale, të cilat mund të kenë interes që të investojnë në Kosovë. /Rel/Telegrafi/