LAJMI I FUNDIT:

Vetura pa kufij

Vetura pa kufij

Shumë shpejt kosovarëve nuk do t’iu ndalohet importi i veturave të vjetra. As ato që janë më të moçme se tetë vjet, siç ka qenë deri më tani. Për veturat e vjetra do të aplikohet vetëm akciza. Sa më e vjetër vetura, akciza më e lartë. Kështu e kërkojnë edhe rregullat e Bashkimit Evropian.

Burime të Expressit brenda Qeverisë, kanë treguar se menjëherë pas konstituimit të institucioneve, pritet të merret vendim për heqjen e kufizimit të vjetërsisë së veturave. Edhe pse njëherë vetëm ide, ajo pritet të realizohet shumë shpejt. “Njëherë është vetëm ide. Planifikohet të hiqet krejt kufizimi i vjetërsisë se veturave”, thotë ky burim. Si arsyetim për këtë nuk janë të varfrit apo ajo se kosovarët nuk kanë “kaçik” të blejnë vetura të shtrenjta. Krejt puna është se kështu e kërkojnë rregullat e Bashkimin Evropian.

Si kompensim për këtë, importuesit do të paguajnë akcizë. Sa më e vjetër vetura, aq më e lartë edhe akciza. “Sipas vjetërsisë, rritet edhe akciza”, thotë i njëjti burim. Këtë e pati konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Muharrem Shahini. Sipas tij, Ministria është duke i shqyrtuar disa variante sa i përket importit të veturave. “MEF-i është në shqyrtim të disa varianteve sa i përket importimit të veturave, ku gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve do të merren parasysh standardet evropiane, por gjithashtu edhe gjendja ekonomike e vendit dhe ruajtja e ambientit”, ka thënë Shahini.Për ndryshimet eventuale thotë se shumë shpejt do të njoftohen qytetarët.

Ndërkohë, paralajmërimi për heqjen e kësaj mase, është pritur mirë nga qytetarët. Në përgjithësi, kushtet e kosovarëve për të blerë vetura janë zvogëluar në mënyrë drastike.


Ndërrimi veturë me veturë ka qenë e vetmja mundësi edhe për Arben Bytyqin, i cili kishte nxjerrë në treg veturën e markës Mercedes. Me çmimin prej 4.500 eurosh sa e mbante veturën, ka qenë e pamundur të gjendet ndonjë blerës me para në dorë. “Kohëve të fundit, sidomos ka rënë shumë disponimi i njerëzve me ble vetura. Kryesisht blerësit ankohen se janë të shtrenjta”, thotë Bytyqi.

Ndërkaq, çmimet nga automjetet e tjera sillen varësisht prej markës. Kështu, “Golf 3” shkon nga 2500 deri në 5000 euro. Marka “Peugeot” është me e shtrenjtë – prej 6000 deri në 7000 euro dhe shumë e pëlqyer nga kosovarët. Kurse vetura “Passat” varësisht prej vitit të prodhimit, sillet rreth 14.500 euro. Tregtarët mendojnë se çmimi më i arsyeshëm për njerëzit në Kosovë do të ishte deri në 5000 euro. /Express/Telegrafi/