LAJMI I FUNDIT:

Kontrata e koncesionimit të ANP-së drejt rinegocimit

Kontrata e koncesionimit të ANP-së drejt rinegocimit

Kontrata e shumëpërfolur midis Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit turko-francez për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës mund edhe të rinegociohet. Kjo për faktin se koncesioneri ka premtuar investime marramendëse në aeroport, përkatësisht rreth 140 milionë euro dhe mbi 39.42 për qind të të hyrave bruto, duhet t’i ndajë për qeverinë e vendit në emër të koncesionimit për 20 vjetët e ardhshme.

Këto investime dhe përqindja që do ta përfitojë ekzekutivi i vendit vlerësohen si të fryra, marrë parasysh nevojat për investime reale.

Mundësia e rishqyrtimit të kontratës me koncesionerin “Limak&Lion” nuk është hedhur poshtë as nga drejtuesit e njësisë së Partneritetit Publiko-Privat, që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, të cilët njëherësh e kanë udhëhequr procesin e koncesionimit të aeroportit.

Ata madje gjatë një takimi joformal me gazetarë javën e kaluar, kanë thënë se sipas praktikave ndërkombëtare në rreth 70 për qind të rasteve, kontratat e tilla rinegociohen.


Në këtë takim disa herë është përmendur edhe kontrata e nënshkruar mes Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë turke “TAV”, e cila ka marrë me koncesion aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup dhe “Shën Apostoli Pali” në Ohër.

Kjo kompani për disa vjet është vonuar me realizimin e premtimeve prej 200 milionë euro investime në këto dy aeroporte, siç është thënë për shkak të krizës financiare, prandaj ka kërkuar që të rinegociohet kontrata.

I vetmi autoritet që mund të lejojë rinegocimin e kontratës, sipas zyrtarëve të PPP-së, është Komiteti Ndërministror për koncesionimin e ANP-së, në kuadër të të cilit është Ministria e Financave, ajo e Transportit, etj.

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile disa herë e kanë kritikuar qeverinë për mostransparencë me rastin e koncesionimit të ANP-së.

Avni Zogiani nga organizata “Çohu” pati deklaruar se procesi i koncesionimit është i kontrolluar prej politikanëve, të cilët, siç thotë ai, i kanë pasur klientë firmat që e kanë fituar tenderin. Zogiani pohon se pikërisht për shkak të mungesës së transparencës ka qenë e qartë qysh në fillim se nuk do të ndodhë një administrim i mirë në aeroport. /Zëri/Telegrafi/