LAJMI I FUNDIT:

KEK-u ul humbjet për 5 %

KEK-u ul humbjet për 5 %

Edhe ky vit ka nisur me përmirësim të rezultateve të KEK-ut në të gjitha aspektet. Falë angazhimit maksimal të punëtorëve të korporatës humbjet e energjisë elektrike gjatë muajit janar janë zvogëluar me 5.38 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Ky është edhe rezultat i ligjit të ri për energji elektrike, i cili kishte hyrë në fuqi në fund të vitit të kaluar, sikurse i aksioneve të korporatës dhe pajisjeve të sofistikuara që posedon KEK-u në luftën kundër keqshfrytëzimit të energjisë elektrike. Një performancë e tillë ka rritur edhe parametrat tjerë si inkasimin dhe faturimin”, thuhet në një njoftim të KEK-ut.

Tashmë rreth 15 mijë lëndë janë në gjykatat e vendit për keqpërdorim të energjisë elektrike, të cilat pritet të shqyrtohen dhe keqpërdoruesit të marrin dënimin e merituar. Dënimet shkojnë deri në 50 mijë euro sipas Ligjit për Energji Elektrike, sikurse edhe me burgim sipas Kodit Penal të Kosovës.

Gjatë ditëve të kaluara, ekipet e korporatës kanë arritur të evidentojnë keqpërdorime edhe në tavanët e tri shtëpive në komunën e Podujevës. Pra, kontrolle zhvillohen në çdo cep dhe nuk mund t’i iket asnjë keqpërdorimi.


Sipas KEK-ut, aksione edhe më të shpeshta do të merren ditët në vijim anekënd Kosovës dhe të gjitha lendet do të dërgohen në gjykatat kompetente.

Kjo shihet e vetmja alternative për rregullimin përfundimtar të një prej problemeve më të mëdha që ka KEK-u, evitimin e humbjeve komerciale. Korporata është e vendosur që këtë fenomen ta dërgoj drejt zeros, si parakusht për të patur furnizim stabil me energji elektrike, mbizotërim të ligjit dhe respektim të shtetit.

Në aksionin kundër keqpërdorimeve, KEK fton të gjithë që të ndihmojnë duke njoftuar korporatën për çdo shkelje të ligjeve të Kosovës. /Telegrafi/