LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët si humbin vendet e punës

Punëtorët si humbin vendet e punës

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nuk kanë asnjë arsye të frikësohen se do të mbeten pa punë, pas kalimit të kompetencave nga Aeroporti tek konzorciumi Limak-Lion.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bekim Jashari tha se personalisht dhe në emër të Bordit të Drejtorëve garanton se punëtoret nuk do ti humbin vendet e tyre të punës.

“Mund të garantoj që asnjë punëtor nuk do të dalë nga puna. Jam në kontakt të vazhdueshëm më kompaninë Limak-Lion dhe nuk është në planin e kompanisë për të nxjerrë nga puna asnjë punëtor. Përkundrazi, në Aeroport do të punësohen qindra punëtorë të tjerë në ndërtimin e terminalit dhe punët e tjera përcjellëse”, tha Jashari.

Sipas tij, në këtë kontest Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim më herët që të gjithë punëtorët e ANP-së të pajisen me kontrata valide trevjeçare.


Në anën tjetër , Drejtori Menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa, tha se nuk ka vend për panikë. Sipas tij, as një punëtor i Aeroportit nuk duhet të frikësohet, sepse qëllimi i Partneriteteve Private është modernizimi, zhvillimi dhe zgjerimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve, në këtë rast të Aeroportit, që nënkupton edhe qasje të fuqisë punëtore të mjaftueshme për të qenë një Aeroport funksional.

“Besoj që qasja e koncesionarit nuk do jetë për të ulur numrin e punëtorëve por për zhvillim dhe modernizim të Aeroportit. Do të investohen rreth 100 milion euro në një terminal të ri prej 25 mijë metra katrorë, ndërkohë që numri i udhëtarëve po vjen duke u rritur vazhdimisht”, tha Mustafa.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka mbyllur vitin 2010 me 114 mijë udhëtarë më shumë se viti paraprak 2009, duke shënuar një rritje prej 9.5 për qind më shumë në numrin e udhëtarëve.

Në total numri i udhëtarëve gjatë 2010 shkoi në 1 milionë e 306 mijë udhëtarë nga 1 milionë e 192 mijë që ishte në 2009. Ndërsa ky vit është edhe më premtues se viti i kaluar. Sipas statistikave vetëm gjatë janarit të 2011 ka pasur 11 mijë udhëtarë më shumë se gjatë vitit 2010. /Telegrafi/