LAJMI I FUNDIT:

Lista e zezë e KEK-ut për kompanitë

Lista e zezë e KEK-ut për kompanitë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) shumë shpejtë do të bëjnë një listë të zezë për kompanitë e papërgjegjshme të cilat nuk i kanë respektuar kontratat me të. Këto kompani sipas zyrtarëve të KEK-ut do ta kenë të vështirë që prapë të marrin punë në të.

Disa kompani që kanë marrë kontrata për kryerjen e punëve të ndryshme për Korporatën Energjetike të Kosovës së shpejti do të futen në një listë të zezë për shkak se me mos respektimin e kontratave e kanë dëmtuar korporatën.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, tha për Telegrafi se të gjitha kompanitë që kanë shkelur kushtet e kontratës janë penalizuar, por penalizime ka pasur edhe për ato kompani të cilat nuk e kanë respektuar kohën e shërbimit sipas kontratës. “Analizë për dëmet nuk
është bërë, por në të vërtetë në të shumtën e rasteve dëmet dhe pengesat janë më të mëdha se sa penalizmet”, theksoi ai.

Kompanitë të cilat do të futën në listën e zezë nuk do të mund të marrin më as një punë në KEK. “KEK-u është në proces të krijimit të listës së zezë të kompanive që kanë dështuar në realizimin e plotë të kontratës. Tanimë janë ndërprerë dy kontrata dhe lënda është duke u përgatitur që ato kompani të dërgohen në OSHP në mënyrë që të futen në
listën e zezë, dhe nuk do të kenë mundësi që ato kompani të konkurrojnë në KEK”, tha zëdhënësi Viktor Buzhala.


Disa nga kompanitë të cilat do të futen sipas zyrtarëve të KEK-ut në Listën e zezë e që do ta kenë të vështirë për të marrë përsëri kontrata nga KEK-u. Blu Trade, Rima Enginering, N.T.P.SH Xani, Elektro D T Projek, PBC Kosova, Solid Company, Ripten Enginjering, Union, Euro Impex, E- Projekt, NNP. Toni, N.T.P.SH Xani, Euro Commerc, Adria -7, Peg, Famordi, PROF. Enginjering Peg, Euroo Trade, Simens.

Përveç kompanive që nuk i kanë respektuar kontratat në KEK ka edhe shumë të tjera të cilat i kanë reazliuar punët të cilat i kanë pasur për obligim t’i kryejnë në bazë të kontratave. Disa nga kompanitë të cilat e kanë respektuar kontratën me KEK-un, sipas zëdhënësit të KEK-ut janë: Thysen Krupp, Alstom, Takraf, Eco Trade, Monten,
Intering, Monting, Feroda Comerce, Kujtesa, Elektro Dt projekt.

Drejtori i kompanisë “Eco Trade” Mehdi Zhugolli, tha se në vazhdimësi i ka respektuar kontratat dhe kohën e liferimit, për punët që ka kontraktuar me KEK-un. Respektimi i kontratave është shumë i rëndësishëm për një kompani, pasi sipas tij tregon seriozitetin e asaj kompanie, por edhe të prodhuesve që përfaqëson ajo kompani.

“Të gjitha kontratat që i kemi nënshkruar deri më tani i kemi respektuar me përpikëri të plotë. Po ashtu të gjitha projektet që i kemi marr janë implemtuar me cilësi të lartë dhe duke i respektuar afatet e liferimeve”, është shprehur drejtori Zhugolli, duke thënë se respektimi i kontratave është arritur edhe falë korrektësisë së prodhuesve që përfaqësonë.

Ndryshe për krijimin e një liste me kompanitë e “papërgjegjshme” e ka paralajmëruar e dhe Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, por e cila nuk është bërë që nga viti i kaluar. /Telegrafi/