LAJMI I FUNDIT:

KEK-u shkyçi borxhlinjtë në Hajvali

KEK-u shkyçi borxhlinjtë në Hajvali

Korporata Energjetike Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka intensifikuar edhe më tepër aksionet e shkyçjes së konsumatorëve me borxhe të mëdha dhe ata që e keqpërdorin energjinë elektrike. Të hënën janë shkyçur 15 konsumatorë në Hajvali të Prishtinës, me borxhe që shkojnë deri në 10 mijë euro për konsumator.

Shkyçjet janë realizuar edhe falë mbështetjes së pakursyeshme të Policisë së Kosovës, të cilën korporata e falënderon për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, sikurse mediat për raportime të vazhdueshme.

Gjatë aksionit në Hajvali një konsumator ka sulmuar punëtorin e KEK-ut, i cili është arrestuar menjëherë nga Policia e Kosovës, që ishte në vendin e ngjarjes. “Fillimisht konsumatori ka kërkuar që të bëhet ri-kyçja menjëherë. Por, punëtori i korporatës nuk ka rënë në grackën e kërcënimeve të tij dhe ka vazhduar të kryejë detyrën zyrtare. Ai më pas është sulmuar nga ky konsumator me kabllon elektrike. Konsumatori është arrestuar menjëherë nga policia. Për shënime më të sakta mund të kontaktoni me Policinë e Kosovës, përkatësisht stacionin në Graçanicë.

Aksione të njëjta janë zhvilluar të hënën edhe në pjesët tjera të Kosovës. KEK është duke bërë mbi 10 mijë shkyçje individuale brenda muajit dhe ky numër do të intensifikohet deri në momentin kur të evidentohet edhe borxhliu i fundit. /Telegrafi/