LAJMI I FUNDIT:

Përfitojnë nga Egjipti

Përfitojnë nga Egjipti

Vazhdimi i krizës politike në Egjipt dhe zgjerimi i saj në rajon mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë globale, shkruan Associated Press, duke cituar shumë ekspertë, vlerëson se rritja jo stabile në Evropë dhe SHBA jo vetëm se do të rrezikohej nga eskalimi i krizës në Lindjen e Afërme, por ajo te këto dy ekonomi të fuqishme do të ndikonte në rritjen e inflacionit dhe vështirëson hapjen e vendeve të reja të punës.

Sadi Hamid, ekspert për rajonin e gjirit në institutin “Brooking” në Nju Jork vlerëson se konfliktet gjithnjë e më të ashpra në Egjipt në mënyrë direkte dhe negative reflektohen në dobësimin e ekonomive të rajonit, por edhe të SHBA-ve. Hamid tregon se as politika aktuale e administratës amerikane ndaj garniturës qeverisëse në Egjipt nuk ka qenë konsistente, meqenëse presidenti Barack Obama fillimisht e ka përkrahur Hosni Mubarakun, e pastaj shpejt kërkoj largimin e tij.

Kriza në Egjipt, sipas AP-së, në Evropë ka ngritur çmimin e naftës në mbi 100 dollarë, kurse në SHBA një barel kushton rreth 90 dollarë. Tregtarët me karburante janë të shqetësuar se zgjatja e trazirave sociale në Egjipt, e posaçërisht zgjerimi i tyre në vende fqinje, mund të vështirësoj transportin e naftës nëpër Kanalin e Suezit. Egjipti nuk është prodhues i madh,por në mënyrë direkte kontrollon këtë kanal, përmes të cilit qarkullojnë tankerët me dy milionë barelë naftë të papërpunuar, drejt tregut të SHBA-ve dhe të Evropës.

Pos kësaj, mund të tronditet edhe tregu global i ushqimit. Këtu problem shtesë janë edhe trazirat kronike në Somali. Egjipti është importues i madh i grurit, kurse disa vende nga rajoni, si Arabia Saudite dhe Algjeria tanimë kanë paralajmëruar se mund të rrisin importin e drithërave, ashtu që të krijojnë më shumë stoqe dhe të evitojnë mungesën e rastësishme të tyre. Çmimet e ushqimit në treg, madje edhe para trazirave në Tunizi dhe në Egjipt, janë rritur dhe po i afrohen nivelit rekord.


Në këto rrethana fitim do të kenë prodhuesit e ushqimit dhe të naftës. Por, problemi qëndron aty se numri i vendeve që mund të fitojnë nga konjuktura në tregun e naftës dhe të ushqimit është shumë më i vogël në krahasim me ato që janë të rrezikuara nga kjo situatë, thuhet në një analizë të ekspertëve të OKB-së. /Telegrafi/