LAJMI I FUNDIT:

KEK kap 114 keqpërdorues të rrymës

KEK kap 114 keqpërdorues të rrymës

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se ka intensifikuar aksionet kundër keqshfrytëzuesve të energjisë elektrike. Punonjësit e kësaj korporate, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, ka kapur më shumë se 100 konsumatorë duke e vjedhur rrymën.

Në distriktin e Prishtinës janë zbuluar 15 konsumatorë duke e keqpërdorur rrymën, në Prizren – 25; në Mitrovicë – 30; në Pejë – 22; në Gjilan – 12 dhe në Distriktin e Ferizajt – 10.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, ka shpjeguar se në Distriktin e Ferizajt, konsumatorët janë zënë vetëm në një trafostacion, në atë të Spitalit të Ferizajt. Nga 20 konsumatorët e kontrolluar, 10 nga ta ishin duke e keqshfrytëzuar energjinë elektrike.

KEK-u paralajmëron se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, madje do të intensifikohen. “Të gjitha veprimet e korporatës janë në përputhje të plotë me Ligjin për Energjinë Elektrike, i cili definon qartë edhe dënimet, të cilat janë deri në 50 mijë euro, sikurse edhe dënimet me burg, të cilat janë të përcaktuara nga Kodi Penal i Kosovës”.


Ky ligj, që ka hyrë në fuqi në pjesën e fundit të vitit të kaluar, mbështet fuqishëm krijimin e rregullit në këtë sektor që është ndër më problematikët më të cilët po ballafaqohet korporata.

KEK-u thekson se për t’iu kundërvënë keqshfrytëzimit të energjisë elektrike, ka konsoliduar një ekip profesionistësh, të cilët janë të pakompromis ndaj çdo keqpërdorimi që e hasin. /Telegrafi/