LAJMI I FUNDIT:

Nguten me distribucion

Nguten me distribucion

Dështimi për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, i ka shtyrë drejtuesit e Qeverisë që të nguten me shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut. Faza parakualifikuese ka nisur. Kompani të mëdha energjetike nga Evropa kanë aplikuar. Fitues potencialë janë edhe tri kompani turke, duke përfshirë këtu edhe kompaninë Limak, që mori me koncesion ANP-në. CEZ-i nuk konkurron.

Shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit me energji elektrike e kanë marrë shumë seriozisht, pas dështimit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
Ndryshimet në këtë termocentral kanë bërë që kompanitë e mëdha të energjisë të ngurrojnë të jenë pjesë e garës për privatizimin e rrjetit të shpërndarjes në KEK.

Sipas Express, dështimet e njëpasnjëshme për ndërtimin e Kosovës së Re i kanë irrituar ato që të jenë pjesë e kësaj gare. Udhëheqësit e Komitetit Ndërministror të këtij projekti janë duke shikuar mundësitë që sa më shpejt të privatizohet rrejti i distribucionit.
Burime brenda Qeverisë kanë treguar se pas shprehjes së interesit dhe ftesës për investime nëpër media ndërkombëtare, në KEK është duke u tentuar që të shkohet sa më shpejt me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe distribucionit.
Kjo po bëhet nga frika dhe mundësia e dështimit të projektit për futjen e sektorit privat si në rastin e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

Kompania energjetike çekoamerikane, CEZ, nuk do të konkurrojë për këtë projekt. Zyrtarë të kësaj kompanie nuk duan të japin arsyen e mospjesëmarrjes në këtë garë. “Tash për tash CEZ-i nuk e merr parasysh pjesëmarrjen në këtë garë”, tha Eva Novakova, zyrtare për informim në këtë kompani.


Janë kompanitë turke, që përveç marrjes së ANP-së, po aplikojnë për aksione të tjera në Kosovë. Deri më tani për këtë projekt i kanë dorëzuar dosjet e tyre tri kompani turke, e njëra ndër to është edhe koncesionari i ANP-së – Limak.

Ilir Shala, menaxher i projektit për Privatizimin e Distribuimit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike, ka thënë se faza e shprehjes së interesit ka përfunduar, ndërsa më 25 janar është bërë shpallja e ftesës për parakualifikimit. Kjo ftesë është shpallur edhe në gazetat ‘The Economist’ dhe ‘Financial Times” që nga 27 janari dhe do të jetë e hapur 40 ditë pune. Pastaj, sipas tij, do të përzgjidhen kompanitë që i plotësojnë kriteret minimale teknike dhe financiare për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e distribucionit.

“Në fazën e parakualifikimit, kompani të ndryshme mund të hyjnë në garë për privatizimin e KEDS-it. Tash i kemi 8 kompani që kanë shprehur interes, por gjatë kësaj faze edhe kompani të tjera mund të hyjnë në procedurë të parakualifikimit”, tha Shala. /Telegrafi/