LAJMI I FUNDIT:

Shala takon zyrtarë të Bankës Botërore e të Thesarit të SHBA-ve

Shala takon zyrtarë të Bankës Botërore e të Thesarit të SHBA-ve

Ministri i Ekonomisë dhe Financave në largim Ahmet Shala gjatë ditës së katërt të qëndrimit në SHBA ka pasur takime me zyrtarë të institucioneve të rëndësishme dhe me interes për Kosovën.

Fillimisht ka takuar drejtoreshën menaxhuese në Bankën Botërore, Ngozi Okonja Ivalla, zyrtarë të Misionit te FMN-së, drejtoreshën për regjionin e Evropës Juglindore Jaine Armitage, drejtorin e Ex-Im Bankës, Bijan R. Kian dhe zëvendësdrejtorin menaxhues të kompanisë General Elektrics Skip Warner.

Takimet në Bankën Botërore kryesisht kanë qenë të fokusuara në fushën e bashkëpunimit në projektet në energjetikë, projektet e mbështetjes buxhetore nga ky institucion si dhe modalitete tjera të bashkëpunimit.

Gjatë takimit me misionin e FMN-së janë diskutuar çështjet që lidhen me programin e nënshkruar në funksion të sigurimit të vazhdimit të këtij programi sipas marrëveshjes së arritur. Ekziston një gatishmëri që në momentin kur të formohet Qeveria e re misioni nga FMN do të vizitojë Kosovën në mënyrë që buxheti për vitin 2011t të jetë në harmoni me këtë Program.


Takime të ndara janë zhvilluar edhe me përfaqësuesit e Ex-Im Bankës ku është shtruar nevoja e krijimit të një bashkëpunimi në të ardhmen, i cili do t’i mundësonte kësaj banke të financoj projekte të rëndësishme në Kosovë.

Një takim është zhvilluar edhe me përfaqësuesit e Kompanisë General Electrics ku u shpreh interesimi i kësaj kompanie për investime në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë, transportit, shëndetësisë, etj.

Ministri po ashtu ka pasur takime edhe me Rick Holtzapple, nga Këshilli për Siguri Kombëtare i ShBA-ve, dhe Christopher Smart, nga Thesari Amerikan si dhe me personalitete të tjera të shtetit amerikan. /Telegrafi/