LAJMI I FUNDIT:

Nuk i ulën çmimet

Nuk i ulën çmimet

Vendimi për rritjen e pagave në sektorin publik është shoqëruar me rritjen e çmimeve të produkteve kryesorë të shportës ushqimore. Rritja prej 30 deri në 50 për qind të rrogave kishte krijuar në treg efektin e rritjes së fuqisë blerëse. Por, pas vendimit për të shtyrë rritjen e premtuar të rrogave, ka mbetur “në fuqi”, vendimi i tregtarëve për rritjen e çmimeve.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka deklaruar për Qendra.info se rritja e çmimeve është bërë shumë më shqetësuese tash pas shtyrjes së vendimit për ngritjen e rrogave. “Edhe ashtu, rritja e çmimeve ka qenë shqetësuese, por tash është edhe më keq. Në këto kushte ka mundësi që të rriten edhe pakënaqësitë e qytetarëve”. Sipas Rukiqit, ekziston një mundësi për të amortizuar pakënaqësitë e qytetarëve deri më muajin mars, kur pritet të miratohet edhe buxheti i Kosovës.

Ai mendon se pas kësaj, për zyrtarët do të jetë më vështirë që të arsyetojnë rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, thotë se tash ka një gjendje kur konsumatorët për një kohë do të blejnë më pak për shkak të “ftohjes” që është shkaktuar për shkak të efektit psikik të pezullimit të vendimit për ngritjen e rrogave.


“Ka nevojë që rrogat të ngritën për shkak se edhe ashtu në Kosovë ka pasur pagesa shumë të ulëta. Në kushte normale, rritja prej 5 deri në 7 për qind konsiderohet si ngritje për ta mbajtur inflacionin e njëjtë”, tha Kelmendi, i cili është importuesi më i madh i produkteve ushqimore në Kosovë. /Telegrafi/