LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni godet Kosovën

Inflacioni godet Kosovën

Ngritja e çmimeve të artikujve, sidomos atyre ushqimorë, në Kosovë, është shkaktuar nga inflacioni i importuar, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe ekspertët e çështjeve ekonomike. Sipas tyre në rritje të çmimeve ka ndikuar në mënyrë indirekte edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.

Ngritja e çmimeve të një numri të mallrave, e sidomos atyre esenciale në Kosovë, tregon se vendi tashmë po i nënshtrohet një vale të inflacionit, e cila pritet të ketë efekte edhe më të mëdha muajve të ardhshëm, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.

Agim Shahini, kryetra i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se ngritja e çmimeve që është shënuar kohët e fundit, reflekton situatën e tregut rajonal, duke pasur parasysh edhe faktin që Kosova është më tepër një vend që importon mallra.

“Janë bërë disa rritje të çmimeve në tregun e Kosovës dhe rritja e tashme shpjegohet, për arsye se është rritur konsumi. Përderisa ne nuk kemi prodhimtari vendore, ne do të jemi pak të rëndësishëm në stabilizimin apo rritjen e çmimeve në Kosovë”, thotë Shahini.


Edhe Alban Hashani, nga Instituti Riinvest, thotë se Kosova është një vend që importon shumë mallra ushqimore, deri në 90 për qind të nevojave të konsumit. Sipas tij, ngritja e çmimeve në vendet e ndryshme të botës, si rezultat i ngritjes së çmimeve të derivateve të naftës, ka reflektuar edhe në Kosovë.

Megjithatë, si një nga shkaktarët e ngritjes së çmimeve, ai e sheh edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për sektorë të caktuar. “Kryesisht, rritja e çmimeve në Kosovë, ka ardhur si rezultat i importimit të këtij inflacioni, do të thotë, si rezultat i rritjes së çmimeve të mallrave të importit”, tha Hashani. /Rel/Telegrafi/