LAJMI I FUNDIT:

Rrogat dalin me rritje

Rrogat dalin me rritje

Qeveria e Kosovës konfirmoi të dielën se pagat që do t’i dalin dhjeta mijëra punonjësve të administratës më 1 shkurt do të jenë me rritje, ashtu siç ka konfirmuar deri më tash kryeministri në largim Hashim Thaçi.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë për portalit Qendra se ky vendim mbetet në fuqi.

“Pagat e janarit do të jepen me rritjen prej 50 për qind për arsimtaret dhe për kategoritë e tjera, ashtu siç është planifikuar. Derisa nuk merret një vendim tjetër, kështu do të jetë”, tha Krasniqi.

“I kemi nënshkruar pagat me rritje dhe presim që të hënën t’i kemi ato në konto”, tha Besim Krasniqi, arsimtare nga Prishtine.


Vendet e Quintit biseduan katër orë radhazi të martën e kaluar për vendimin e kryeministrit në largim për rritjen e pagave të shërbyesve civilë deri në 50 për qind, duke kërkuar nga shefi i ICO-së, Pieter Feith, që të anulojë vendimin. Por, jo të gjitha vendet e Quintit kanë pasur qëndrim të njëjtë. Disa prej tyre kanë deklaruar se Kosova është vend i pavarur dhe duhet të marrë vetë përgjegjësi për vendimet që ka marrë dhe më pas të bartë pasojat.

Rritja e pagave pritet t’i kushtoje buxhetit te Kosovës deri në 120 milionë euro në vit dhe kjo shumë mendohet të sigurohet nga luftimi i evazionit fiskal dhe i ekonomisë së zezë, ndërsa humbjet e buxhetit nga kjo ekonomi, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, janë mbi 300 milionë euro. /Telegrafi/