LAJMI I FUNDIT:

Autostrada “gllabëron” edhe 250 milionë euro

Autostrada “gllabëron” edhe 250 milionë euro

Hiç më pak se 250 milionë euro do t’i shkojnë këtë vit nga buxheti i Kosovës konzorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka”, e cila është duke e ndërtuar autostradën Vërmicë-Merdar. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), shuma prej 250 milionë euro do të sigurohet nga të hyrat e rregullta buxhetore që janë planifikuar për vitin 2011, të cilat pritet të mblidhen nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Planifikimi i draft-buxhetit për vitin 2011 siaps zwdhenwsit tw MEF-it Muharrem Shahini është bërë mbi bazën e të hyrave të rregullta buxhetore për këtë vit. Sipas tij, vlera prej 250 milionë eurosh, si pjesë e investimeve kapitale për vitin 2011, e cila është dedikuar për këtë projekt kapital, është pjesë e draftit të buxhetit të këtij viti.

“Po ashtu projekti i ndërtimit të autostradës është pjesë e kornizës makro-fiskale 2011 – 2013, ku janë të specifikuara të gjitha obligimet e Qeverisë për ndërtimin e këtij projekti”, ka thënë Shahini.

Ndërsa Endrit Shala, këshilltar i ministrit të Transportit dhe Post- Telekomunikacionit, ka thënë se pagesa e kompanisë bëhet në bazë të situatave të punës që kryen ajo. “Varësisht se sa është punuar në autostradë, për aq punë do t’i bëhet edhe pagesa kompanisë, mirëpo nuk mund të bëhet pagesa pa u kryer punët”, ka thënë Shala.


Në anën tjetër, ekspertë ekonomikë vlerësojnë se është shumë vështirë që këtë vit të sigurohen 250 milionë euro për autostradën për shkak të planifikimeve të mëdha.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, ka thënë se për sigurimin e mjeteve për autostradën në tremujorin e parë duhet të shitet Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) sipas marrëveshjes me FMN-në. “Në këtë projekt është e ndërlidhur drejtpërdrejt edhe kostoja e shitjes së PTK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, është shumë vështirë që Dogana dhe ATK-ja t’i mbledhin 250 milionë euro kur edhe vetë kapacitetet e tyre kanë qenë të mangëta.

“Do të thotë ka edhe skepticizëm prej këtyre dy institucioneve që mund t’i mbledhin këto para”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo vit ka pasur rritje buxhetore, mirëpo këtë vit është vështirë sepse ka planifikime më të mëdha. /Zëri/Telegrafi/