LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon vala e shtrenjtimeve në Maqedoni

Vazhdon vala e shtrenjtimeve në Maqedoni

Vala e shtrenjtimeve të ushqimeve do të vazhdojë, paralajmërojnë nga industria e prodhimit dhe përpunimit të ushqimeve.

Prodhuesit dhe pronarët e fabrikave të bukës theksojnë se për shkak çmimit të lartë të grurit, buka pritet të shtrenjtohet, edhe pse në fillim të këtij muaji kishte një rritje të çmimit për tre denarë, raporton INA.

Sipas prodhuesve, importet e shtrenjtuara e kanë bërë të veten, pasi që derisa ata në muajin shtator të vitit të kaluar kanë paguar 170 euro për ton grurë, çmimi aktual sillet prej 240 deri në 280 euro për ton grurë, ndërsa është shtrenjtuar edhe transporti.

Analistët ekonomik theksojnë se kur bëhet fjalë për bukën, shteti mund të parandalojë rritjen e çmimit për një periudhë të shkurtër, me një intervenim në rezervat ekonomike, ndërsa në plan afatgjatë duhet të rritet prodhimi vendor.


Serbia është vendi nga ku Maqedonia importon grurin, ndërsa qeveria e këtij vendi paralajmëroi se do të vendos taksa për importin e grurit prej pesë cent për kilogram.

Qeveria deri tani nuk ka ndërmarrë ndonjë masë apo paralajmërim për të parandaluar rritjen e çmimit të bukës dhe miellit. Shqetësim plotësues paraqet edhe rritja e çmimeve të derivateve të naftës dhe paralajmërimet për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. /Telegrafi/