LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës edhe 300 mijë euro shtesë Termokosit

Komuna e Prishtinës edhe 300 mijë euro shtesë  Termokosit

Duke e marrë parasysh gjendjen e vështirë në të cilën gjendet Termokos-i, si dhe duke parë që po rrezikohet seriozisht procesi edukativo-arsimor në gjashtë shkolla të kryeqytetit, drejtuesit komunalë të Prishtinës kanë vendosur që t'i propozojnë Kuvendit të Komunës së Prishtinës që në seancën, që do të mbahet të enjten më 27 janar, ta miratojë shumën prej 300 mijë eurosh, të cilat do t'i dedikohen kësaj ngrohtoreje.

Derisa të ndahen këto mjete, Komuna u rekomandon shkollave që të punojnë me orar të reduktuar, varësisht kushteve atmosferike. Komuna, javën e kaluar, ka shpallur tender për instalimin e ngrohjeve në shkolla, si zgjidhje alternative, në rastet kur nuk funksionon Termokosi.

Kjo parasheh vendosje të kaldajave në shkollat që ngrohen me ngrohtoren e qytetit, duke i lidhur me sistemin e rrjetit të Termokosit. Do theksuar që Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2010 e ka ndihmuar Termokosin me 500 mijë euro, 200 mijë në gjysmën e parë të vitit si edhe 300 mijë në fundit të vitit.

Po ashtu, Komuna i ka paguar Termokosit parapagim 140 mijë euro për institucionet Komunale, që marrin shërbime nga kjo ngrohtore. Shuma që pritet të miratohet në KK e çon shifrën gati në një milion euro që Komuna ia ka dhënë Termokosit. /Telegrafi/