LAJMI I FUNDIT:

Më 7 shkurt ANP kalon te konsorciumi i ri

Më 7 shkurt ANP kalon te konsorciumi i ri

Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave thonë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që infrastruktura e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të transferohet te konsorciumi i ri “Limak Kosovo International Aeroport” më datën 7 shkurt. Ata mohojnë që të ketë ndonjë me transferimin e infrastrukturës, duke përfshirë edhe atë të kontrollit ajror.

Më 12 gusht të vitit të kaluar është bërë nënshkrimi i kontratës për dhënien me koncesion të aeroportit, ndërsa brenda 180 ditëve duhet të bëhen përgatitjet, në mënyrë që e gjithë infrastruktura të kalojë te konsorciumi i ri.

Udhëheqësi i Njësisë së Partneritetit Publiko Privat në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), Lorik Fejzullahu, tha për Kosovapress se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet, në mënyrë që më 7 shkurt aeroportin ta marrë konsorciumi i ri.

“Nëse i numërojmë ditët kalendarike prej 12 gushtit deri tash, ne kemi deri më 7 shkurt kusht ligjor që të transferohet infrastruktura e tillë tek operatori privat. Do të thotë ne jemi në përmbyllje të atyre kushteve. Jemi duke punuar çdo ditë vetëm se në këtë projekt dhe ju jemi afruar shumë dhe besoj që më 7 shkurt ju do të jeni të ftuar në ceremoni kur bëhet transferimi”, ka thënë Fejzullahu. /Telegrafi/