LAJMI I FUNDIT:

Të varfër nëpër hotele

Të varfër nëpër hotele

Në një varfëri prej 45 për qind të popullatës, numri i kosovarëve që vizitojnë hotelet e vendit ka shënuar rritje. Ndërsa numri i të huajve ka rënë për 2750 vizitorë më pak. Të dhënat e ESK-së tregojnë se niveli i shpenzimeve për rekreacion në të gjitha grupet e ekonomive familjare ka qenë më i lartë në vitin 2009, se sa më 2007 e 2008.

Kosovarët edhe përkundër varfërisë së madhe, vizitat nëpër hotele nuk i lënë anash. Ata bile këto i kanë shpeshtuar viteve të fundit. Numri i vizitorëve vendorë nëpër këto objekte rekreative është rritur për 167.5 për qind, ndërkaq numri i atyre nga vendet e huaja ka rënë për 2750 vizitorë më pak, shkruan sot Express.

Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se familjet urbane dhe me arsim të lartë janë ato që gjithnjë e më shumë po e rrisin pjesën e buxhetit edhe për rekreacion, hotele dhe restorante. Gjatë vitit që lamë pas, numri i atyre që kanë shpenzuar në këto hotele ka qenë 17423, prej të cilëve 49 për qind ishin vendorë me net qëndrimi 8648 si dhe 51 për qind vizitorë të jashtëm me 18433 net.

“Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar vërehet një ulje në numrin e vizitorëve të jashtëm për 2670 krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2009”, thuhet në këto të dhëna.


Ndërkaq, numri i vendorëve në vitin 2009 është rritur për 167.5 për qind më shumë se në vitin 2008. Ndërsa, numri i netëve që ata kanë qëndruar është rritur për 47.5 për qind në raport me vitin 2008.

Eksperti i turizmit, Zekë Çeku, thotë se licencimi si proces është i vjetruar dhe nuk duhet të merret si numër i mirëfilltë numri i hoteleve. Ai e konsideron të domosdoshëm kategorizimin, i cili sipas tij, duhet të fillojë të zbatohet sa më parë. /Telegrafi/