LAJMI I FUNDIT:

Reagon Trusti

Reagon Trusti

Trusti i Kursimeve Pensional të Kosovës ka reaguar në shkrimin me titull “Trusti Diskriminues” të gazetës Zëri të publikuar edhe nga Telegrafi.

Në reagimin e Trustit thuhet se “Me keqardhje duam t’i bëjmë të ditur publikut se ky titull, bashkë me qëndrimin e gazetarit, nuk qëndrojnë aspak. Mënyra se si gazetari ka paraqitur artikullin dëmton me pa të drejtë dhe pa asnjë argument imazhin e Trusti-t.

“Përtej kësaj, Trusti nuk beson se politika aktuale e shpërndarjes së kontributeve është diskriminuese. Vet qëllimi pse është krijuar pensioni është për të siguruar një të ardhur bazike në momentin që një i punësuar arrin moshën, që me ligj në Kosovë është caktuar 65 vjeç, kur nuk mund të ofrojë shërbimet e tij për të përfituar pagë. Pra, pensioni duhet të jetë një ardhur mujore për të përmbushur nevojat kryesore për jetë dhe jo një kursim personal për përdorim tjetër”.

“Ne duam t’i rikujtojmë publikut, gjithashtu, se Trusti menaxhon dhe administron kontributet e të punësuarve kosovarë deri në moshën 65 vjeçare. Në momentin që kontribuuesi aplikon për tërheqjen e kursimeve të tij, atëherë Trusti i kalon këto mjete tek llogaria personale e kontribuuesit në një nga bankat komerciale të Kosovës. Dhe kjo vlen pa marrë parasysh nëse kontributi i akumuluar i personit të caktuar mund të jetë: 2 mijë, 10 mijë apo 20 mijë euro”, thuhet në reagimin e Trustit. /Telegrafi/