LAJMI I FUNDIT:

Buka drejt çmimit 50 centë

Buka drejt çmimit 50 centë

Çmimi i bukës në vend sërish është ngritur për 5 centë. Nga sot një bukë, e cila peshon rreth 400 gramë do të kushtojë 40 centë. Por, furrtarët paralajmërojnë se çmimi i bukës mund të shkojë deri në 50 centë për shkak të ngritjeve të vazhdueshme të grurit, gazit, rrymës, por edhe gjërave tjera, të cilat hyjnë në funksion të prodhimit të një buke.

Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, tha për Zëri se ngritja e çmimit të bukës në Kosovë, ka ardhur pas ngritjes së çmimit të grurit, por edhe të produkteve të tjera.

Xoxa thotë se në qershor në Kosovë 100 kilogramë miell kanë kushtuar rreth 25 euro. Ndërkaq, sot, 100 kilogramë miell kushtojnë më shumë se 50 euro. “Çmimi real i një buke në Kosovë, për momentin është 40 centë. Por, ne kemi kërkesa nga furrtaret që çmimi i bukës të behët 50 centë”, tha Xoxa.

Sipas tij, ky çmim është real për bukë të furrave industriale, ku një bukë peshon fiks 500 gramë, por jo edhe të bukëpjekësve, të cilët prodhojnë bukë të fryra me aditiv, e të cilat kanë peshë më pakë se 400 gramë.


Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi tha se ngritja e çmimit të bukës është një goditje e rëndë për më shumë se 50 për qind të qytetarëve, të cilët jetojnë në varfëri.

“Kjo që po ndodh në Kosovë me çmimin e bukës, nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Institucionet duhet të kenë në kontroll çmimin e bukës, sepse këtu direkt preken shtresat e varfra të shoqërisë”, theksoi Arifi.

Sipas të dhënave, çdo ditë në Kosovë prodhohen më shumë se 150 mijë bukë. /Telegrafi/