LAJMI I FUNDIT:

Kontrabandohen edhe kafshët

Kontrabandohen edhe kafshët

Kafshët pos mallrave të tjera futen ilegalisht në Kosovë. Vetëm sivjet policia ka konfiskuar 500 kafshë, të cilat janë tentuar të kontrabandohen në pika të ndryshme kufitare të Kosovës.

Zyrtarë policorë sipas Gazetës Zëri kanë bërë të ditur se vetëm nga janari deri në nëntor të këtij viti, numri i kafshëve të kontrabanduara ka qenë 486 në 186 raste, të cilat kanë arritur të konfiskohen nga policia kufitare.

Zëdhënësi i policisë Arbër Beka, ka bërë të ditur se kjo dukuri më së shumti ka dominuar në pikat kufitare në lindje dhe në perëndim të vendit dhe se këto statistika janë vetëm nga policia kufitare.

“Rajoni i lindjes është më i frekuentuar me 86 raste ndërsa ai i perëndimit me 68 raste të kontrabandimit me kafshë”, ka thënë ai.


Beka ka shtuar se Policia e Kosovës bën konfiskimin e kafshëve dhe në mungesë të dokumentacionit përcjellës, procedimi i lëndëve bëhet në gjykatat kompetente në bashkëpunim me Prokurorinë Publike dhe Policinë e Kosovës.

Ndërsa zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), kanë thënë se të gjitha masat merren pasi që organet kompetente të bëjnë vlerësimin dhe të japin leje për therjen e tyre nën monitorimin e inspektorëve të AUV-së.

Sipas drejtorit të AUV-së, Valdet Gjinovci, zbatimi i vendimeve të gjykatave kompetente bëhet nga ana e inspektorëve të AUV-së, duke e respektuar legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore.

Ai ka thënë se në rastet kur gjykata merr vendim për therjen e kafshëve të konfiskuara, atëherë therja bëhet nën mbikëqyrjen e inspektoreve të autorizuar në thertoret e licencuara nga ana e AUV-së.

Ai ka shtuar se therja e kafshëve që janë të konfiskuara nga policia është mjaft shqetësuese sepse nuk dihet prejardhja dhe nuk mund të konstatohet nëse ato janë të shëndosha dhe mund të shkojnë për therje.

“Inspektori veterinar e inspekton gjendjen shëndetësore të kafshëve, para, gjatë dhe pas therjes me metodën e vlerësimit organoleptik dhe sjell vendim për përdorimin ose konsumimin e mishit të kontrolluar” ka thënë Drejtori i AVUK-ut Valdet Gjinvoci.

Ai ka shtuar se vetëm kur kanë raste te dyshimta për prezencën e ndonjë sëmundje të kafshëve atëherë mishi dërgohet në analiza të mëtutjeshme dhe pas kryerjes së analizave laboratorike sjellët vendimi mbi përdorimin ose asgjësimin eventual të atij mishi. /Telegrafi/