LAJMI I FUNDIT:

Afera e kamatave në PTK

Afera e kamatave në PTK

Departamenti për Hetime në Post-Telekomin e Kosovës i është drejtuar EULEX-it për të hetuar një kontratë multimilionëshe të lidhur ndërmjet kësaj kompanie dhe njërës prej bankave më të mëdha komerciale në Kosovë Pro Credit Bank. Sipas drejtuesve të PTK-së, marrëveshja ka të bëjë me kontratën e lidhur për depozitimin e një shume të madhe parash të kësaj kompanie në Pro Credit Bank dhe me kamatat e vogla të cilat i kanë pranuar drejtuesit e PTK-së të asaj kohe.

Shefi i Departamentit për Hetime në PTK, Richard Quick, nëpërmjet një letre të siguruar nga Express, kërkon që kjo kontratë të hetohet pikë me pikë. Ai habitet se si është e mundur që PTK të lidhë kontratë me një bankë me kaq kamata të vogla, kur të gjitha bankat e tjera kanë ofruar kamata shumë të larta.

Në një letër konfidenciale drejtuar kryeprokurorit të EULEX`it, Johannes Van Vreeswijk, thuhet se me këtë kontratë PTK-ja ka humbur rreth 360 milionë euro. PTK i bën thirrje EULEX`it që ta hetojë këtë aferë manipulimi deri në fund.

“Konstatoj në një CD me një fajll për rastin Pro Credit Bank, që daton nga viti 2005, ku departamenti im i ka tërhequr të gjitha depozitat nga xhirollogaritë bankare për atë vit dhe duket se Pro Credit Bank është shfrytëzuar për depozita afatshkurtra, të ripërtërira apo të ridepozituara në intervale të mëvonshme. Së pari, të gjitha bankat e tjera në Kosovë atëbotë ofronin norma më të larta të interesit dhe së dyti, periudhat më të gjata të depozitimit kanë mundur të shfrytëzohen për të kërkuar norma më të larta”, thuhet në letrën e Quickut drejtuar EULEX-it.


Drejtuesit e PTK`së thonë se kanë humbur diku rreth 360 milionë euro me këtë kontratë të lidhur me Pro Credit Bank. /Express /Telegrafi/