LAJMI I FUNDIT:

KEK ndëshkon keqpërdoruesit e rrymës

KEK ndëshkon keqpërdoruesit e rrymës

Në vazhdën e aksioneve të intensifikuara kundër vjedhjeve, KEK të premten në orët e mbrëmjes, ka kontrolluar 208 konsumatorë në Distriktin e Gjakovës. Prej tyre, 44 kanë qenë të mbyllur dhe do kontrollohen sërish nga ekipi i kontrollit, 6 raste janë zënë në keqpërdorim dhe janë dërguar direkt për rikthim të humbjeve, 8 konsumatorë janë zënë pa bllomba dhe ndaj tyre është iniciuar procedura gjyqësore.

Po ashtu, në Malishevë janë identifikuar 19 keqpërdorime direkte, 20 ndërrime të njehsorëve dhe dërgimi i tyre në kalibrim për verifikim si dhe 3 raste për padi.

Aksione të ngjashme do të ketë në vazhdimësi në tërë territorin e vendit. Me anë të kësaj forme, Korporata është duke arritur të rris performansën e vet në fushën e faturimit, inkasimit dhe uljes së humbjeve komerciale. Të tri këto segmente kanë shënuar përmirësim të dukshëm këtë vit krahasuar me një vit më parë, thuhet në një komunikatë të KEK-ut.

Ligjet janë më të rrepta sa i përket keqpërdorimeve të energjisë elektrike. Kodi penal parasheh dënim me burg, ndërsa Ligji për Energjinë Elektrike parasheh dënime të rënda financiare për rastet e keqshfrytëzimit të energjisë elektrike. Vetëm dënimet financiare shkojnë deri në 5000 euro për personat ndërsa për personat juridik deri në 50 mijë euro. /Telegrafi/