LAJMI I FUNDIT:

Memorandum për ujitjen e tokave

Memorandum për ujitjen e tokave

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuan e Vushtrrisë nënshkruan të hënën një Memorandum Mirëkuptimi për rehabilitimin e stacionit pompik të ujitjes në fshatin e Pantinës të Vushtrrisë në vlerë prej 300 mijë eurove. Sipas drejtuesve të ministrisë nga ky projekti pritet të ujitet 1000 hektarë tokë.

Ministri në dorëheqje e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blerand Stavileci, tha se ministria me qëllim të rritjes së sipërfaqeve të ujitura, do ta financojë sanimin e infrastrukturës së ujitjes në stacionin pompik të Pantinës, me ç’rast do të mundësohet ujitja e rreth 1000 hektarëve të tokës bujqësore.

“Me qëllim të rritjes së sipërfaqeve të ujitjes, do të financojë sanimin e infrastrukturës për ujitje, gjegjësisht sanimin e stacionit pompik në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, ngase kjo ka qenë edhe një prej kërkesave që na e kanë parashtruar fermerët e kësaj ane”, theksoi ministri Stavileci.

Ai ka treguar se që nga viti 2008 e deri më tani, është investuar në dhjetar projekte, mirëpo vetëm gjatë këtij viti ministria e Bujqësisë ka investuar në 13 projekte dhe shumica prej tyre kanë përfunduar.


Ndërsa, Kryetari i Vushtrrisë Bajram Mulaku, tha se nëpërmjet aktivizimit të stacionit pompik të Pantinës do të sigurohet ujitje për rreth 1000 hektarë tokë bujqësore dhe sanimi i infrastrukturës së ujitjes.

Mbikëqyrja e punëve sanuese do të bëhet nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc”, ndërsa pranimi i punëve të kryera për stacionin pompik të Pantinës, do të bëhet nga komisioni pesë antarësh, në përbërje të të cilit do të jenë tre përfaqësues të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”, që kryesisht do të jenë ekspertë të lëmisë së elektros, makinerisë dhe ndërtimtarisë, si dhe një përfaqësues i MBPZHR-së dhe një i Komunës së Vushtrrisë. /Telegrafi/