LAJMI I FUNDIT:

Haxha shkarkon ndërkombëtarin Richard Quick

Haxha shkarkon ndërkombëtarin Richard Quick

Kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, në fund të javës që lamë pas ia ka ndërprerë kontratën e punës ndërkombëtarit Richard Quick, i cili së fundi ka punuar si këshilltar i lartë në Telekom për përkujdesje të konsumatorëve.

Quick njëherit ka qenë ndërkombëtari i vetëm i angazhuar në vitet e fundit në kompaninë më profitabile në vend, ku më herët ka punuar si udhëheqës i Departamentit të Hetimeve në PTK.

Quick-ut përfundimisht i është ndërprerë marrëdhënia e punës më 1 nëntor 2010 dhe atë për shkak të mungesës, siç është thënë, pa arsye nga puna më shumë se 5 ditë rresht, përkatësisht nga 1 nëntori 2010 e deri më 18 nëntor 2010.

“Kjo mungesë e paraqitjes në vendin e punës është sanksionuar edhe me dispozitat e ligjeve në fuqi, respektivisht me nenin 11.4 të Rregullores për Ligjin themelor të punës dhe nenin 13.1 të Kodit të Mirësjelljes dhe procedurave disiplinore të PTK”, ka bërë të ditur për “Zërin” Menduh Abazi, zëdhënës i PTK-së.


Sipas Abazit, përveç tjerash, Quick ka treguar joefikasitet në punë, papërgjegjshmëri, sjellje joadekuate dhe mosrespektim të politikave të PTK-së, gjë që përbën shkelje serioze të Kodit të mirësjelljes së punonjësve dhe procedurave disiplinore.

Gazeta “Zëri” të dielën për këtë çështje ka tentuar ta kontaktojë edhe të sapolarguarin nga PTK-ja, Richard Quick, mirëpo telefoni i këtij të fundit nuk ka funksionuar fare.

Përndryshe, Quick më herët ka qenë bashkëpunëtor shumë i afërt i kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, ndërsa siç mësohet raportet e këtyre të fundit kanë filluar të përkeqësohen pas fillimit të hetimeve të EULEX-it në PTK muaj më parë. /Telegrafi/