LAJMI I FUNDIT:

Kosovës i duhen hidrocentralet për energji

Kosovës i duhen hidrocentralet për energji

Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për prodhimin e energjisë alternative, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje, sipas të cilëve, një gjë e tillë mund të bëhet me ndërtimin hidrocentraleve të vogla.

Lidhur me këtë, Ministria e Energjisë dhe Minierave, tashmë ka identifikuar 77 lokacione ku mund të ndërtohen këto hidrocentrale. Këto statistika janë publikuar në konferencën me temën “Mundësitë për investime private në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Republikën e Kosovës”.

Qeveria në dorëheqje është e përkushtuar që të përmirësojë gjendjen e sektorit të energjisë dhe furnizimit me energji elektrike në vend, ka thënë Justina Shiroka-Pula, ministre në dorëheqje e Energjisë dhe Minierave.

Për të dalë nga gjendja e vështirë energjetike, Shiroka Pula tha se Kosova ka kapacitete për energji elektrike,me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla


“Koncepti ynë në këtë proces është që të mundësohet tërheqja e investimeve private vendore apo të huaja, por njëherësh të sigurohen të drejtat e koncesionuesit për prodhimin e energjisë nga uji, e cila është pronë e gjithë qytetarëve të Kosovës, të realizojmë të ardhura për buxhetin e Kosovës dhe buxhetin e komunave përkatëse”, ka thënë Shiroka-Pula.

Ali Hamiti, udhëheqës i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ka thënë se legjislacioni për energjinë siguron kushte të favorshme për investitorët potencialë. Sipas tij, edhe në Strategjinë e rishikuar të energjisë, për periudhën 2009-2018, është paraparë ndërtimi i hidrocentraleve. /Telegrafi/