LAJMI I FUNDIT:

Aterrime në ANP edhe në mjegull

Aterrime në ANP edhe në mjegull

Problemet e mjegullës, të cilat prej vitesh kanë shkaktuar vonesa dhe anulime gjatë fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pritet të jenë më të vogla dhe minimale tani e tutje, pasi zyrtarisht Aeroporti i vetëm në Kosovë ka kaluar nga niveli i parë i aeroporteve që ka qenë deri më tash, në kategorinë e Aeroporteve me nivel të dytë.

Kjo në saje në investimeve të mëdha që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe, të cilat mundësojnë që aeroplanët të aterojnë në mot me mjegull dhe me dukshmëri vetëm 300 metra. Deri tani kufiri limit zyrtar i aterimit për aeroplanët në mot me mjegull ka qenë 700 metra.

Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa tha se investimet kapitale të përfunduara më parë dhe plotësimi i një varg kushtesh dhe standardesh tjera të sigurisë të kërkuara sipas rregulloreve vendore dhe atyre ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil, na lejon që të kalojmë në një kategori më të lartë të operimeve, nga kategoria I-rë në kategorinë e II-të.

“Kjo mundëson që gjatë sezonit dimëror dhe veçmas në mot me mjegull të jemi më operativ dhe më fleksibël në raport më fluturimet e aeroplanëve. Kjo do të ndihmojë shumë në evitimin e tollovive dhe humbjen e kohës së udhëtarëve”, tha Mustafa.


Nga ana tjetër, Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës Driton Gjonbalaj, tha se për të kaluar në kategorinë e nivelit të dytë të Aeroporteve është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe nga ANP-ja.

“Ky sistem mundëson aterrimin edhe në dukshmëri shumë më të vogël atmosferike. Përveç invenstimeve të mëdha në infrastrukturë dhe ndriçim, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është dashur t’i përmbushë edhe një numër kushtesh që lidhen me kërkesat e standardeve të sigurisë të Konventës së Çikagos, e cila është e aplikueshme edhe në Republikën e Kosovës. ANP-ja i ka plotësuar këto standarde dhe ky aeroport tash e tutje mund të ofrojë shërbime shumë më të avansuara të aterrimit dhe ngritjeve”. tha Gjonbalaj.

Sipas tij, ky avansim do të bëhet i ditur për tërë industrinë e aviacionit në botë përmes rrjetit global aeronautik të telekomunikacionit. /Telegrafi/