LAJMI I FUNDIT:

Fitimet e bankave nuk i arsyetojnë kamatat

Fitimet e bankave nuk i arsyetojnë kamatat

Fitimet e bankave në vend prej 20 milionë euro sipas ekspertëve të ekonomisë është një lajm i mirë, pasi që forcimi i sistemit bankar ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Por ata thonë se duke pasur parasysh këto fitime nuk mund të arsyetohen kamatat e kredive të cilat janë tepër të larta.

Për nga fitimet e bankave komerciale të cilat operojnë në Kosovë prijnë bankat me kapital të huaj, por keq nuk janë edhe bankat me kapital vendor.

Nagip Skenderi, profesor në Universitetin e Prishtinës tha për Telegraf, se fitimet e bankave në shumë kaq të madhe për tetë muaj janë krejt normale, kur dihet se në Kosovë nuk ka një konkurrencë të duhur të sektorit bankar të nivelit dytë.

“Nga ana tjetër, bankat arsyetohen se siguria e mjeteve nuk është në nivelin e duhur, prandaj janë të detyruar që të japin huadhënie me shkallë të larta interesi, e nga ana tjetër rrezikshmëria e depozitave nuk është për shqetësim. Kjo, më duket se është paradoksale, prandaj edhe fitimi bankar është tepër i lartë dhe e bën industrinë bankare mjaft tërheqëse dhe profitabile”, tha Skenderi.


Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga instituti “Riinvest” e vlerëson fitimin e bankave si një sinjal të mirë për sektorin bankar dhe për performancën e tij. “Them se është lajm i mirë meqë një përforcim i qëndrueshëm i një sektori aq të rëndësishëm në Kosovë ndikon edhe në performancën ekonomike të vendit. Megjithatë, kjo nuk arsyeton normat e larta të interesit në Kosovë që në vazhdimësi vazhdojnë të jenë barrë për bizneset kosovare”, tha Abdixhiku, për Telegraf.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës për veprimtarinë tetëmuajshe të bankave komerciale prin “ProCredit Bank” me një fitim prej 11 milionë e 618 mijë euro, ndërsa “Raiffeisen Bank”, nuk ka raportuar ende në BQK. Por sipas të dhënave të publikuara në qershor “Raiffeisen Bank” ka një fitim prej 6 milionë euro për gjashtë muaj. Vendin e tretë për nga fitimi e ka banka sllovene “NLB Bank”, e cila për tetë muaj ka fituar në Kosovë 2 milionë e 923 mijë euro.

Banka Private e Biznesit ka një fitim prej 696 mijë euro dhe renditet pas bankave të huaja për nga profiti. Përgjysmë më pak profit ka Banka Ekonomike, e cila për tetë muaj ka fituar vetëm 308 mijë euro. Ndërsa, me humbje në tregun e Kosovës operon “Teb Bank”, e cila për tetë muaj ka shënuar një humbje prej 92 mijë eurosh. Shumëfish më shumë humbje ka Banka Kombëtare Tregtare , e cila 1 milionë e 925 mijë euro i ka humbur vetëm për tetë muaj të këtij viti.

Rreth 670 milionë janë kredi që u kanë dhënë bizneseve, ndërsa afro 270 milionë euro janë kredi individuale. Rreth 30 milionë euro është shuma e parave të gatshme që kanë bankat private. /Telegrafi/