LAJMI I FUNDIT:

Panairi Përjetoni Pejën

Panairi Përjetoni Pejën

Peja do të jetë vendtakim për rreth 90 biznese nga rajoni i Dukagjinit, që do të marrin pjesë në Panairin e dytë të turizmit me temë “Qëndroni për Fundjavë – Përjetoni Pejën”. Ky panair organizohet në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe Programin për Ndërmarrje Private në Kosovë i USAID-it.

Panairi i Turizmit do të hapet për publikun të shtunën, më 25 shtator. “Bizneset dhe organizatat nga Peja dhe rajoni i Dukagjinit pritet që të marrin pjesë dhe t’i ekspozojnë produktet, shërbimet dhe ofertat turistike nga sektorët e industrisë së turizmit, ushqimit tradicional, pijeve, artizanaleve, produkte vendore bujqësore dhe ofruesit e përvojave”, thuhet në një njoftimin e USAID-it.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë që të blejnë artikujt e ekspozuar në panair. Ofruesit e përvojave do të jenë në dispozicion për të dhënë informata lidhur me disa oferta turistike. Në komunikatën e USAID-it, thuhet se Panairi “Qëndroni për Fundjavë – Përjetoni Pejën” është një prej atyre aktiviteteve që reflektojnë zotimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për avancimin e ekonomisë së Kosovës duke stimuluar zhvillimin e sektorit privat. /Telegrafi/