LAJMI I FUNDIT:

Gjendja ekonomike e njëjtë me atë të pasluftës

Gjendja ekonomike e njëjtë me atë të pasluftës

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve qeveritarë se viteve të fundit ka pasur rritje ekonomike dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve, njohës të çështjeve ekonomike thonë se gjendja ekonomike ka mbetur e njëjtë me vitet e pasluftës.

Me kushtet aktuale, sipas tyre, Kosova do të ketë një ekonomi të tillë edhe për vitet e ardhshme. Alban Zogaj, nga Instituti “RIINVEST”, thotë se situata aktuale ekonomike nuk po tregon shenja të përmirësimit.

Ai thotë se në Kosovë ende ka mbetur shkalla e lartë e papunësisë dhe e varfërisë, se vendi vazhdon të varet nga importi i produkteve të huaja, ndërsa investimet e huaja nuk janë në nivelin e duhur. "Këto probleme janë të trashëguara qysh nga vitet e 90- ta. Ne e kemi një papunësi shumë të lartë. Për të ulur nivelin e papunësisë, do të duhej një rritje ekonomike e qëndrueshme prej 7 për qind, minimum për 10 vjetët e ardhshëm, në mënyrë që ky nivel i papunësisë të bie përgjysmë”, thotë Zogaj për Evropën e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se ekonomia e Kosovës, pavarësisht krizës globale financiare, vitin e kaluar ka pasur një rritje mbi 4 për qind.


Selim Thaçi, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, thekson se edhe viti 2010 do të përmbyllet me një rritje pozitive rreth 5 për qind, duke vazhduar me rritje ekonomike edhe në vitin 2011 për afër 6 për qind. “Vërehet se kontributi i rritjes se investimeve kapitale nga ana e qeverisë paraqitet si një ndër kontribuuesit kryesorë në vëllimin e kësaj rritjeje për vitin 2009, e cila nuk është diçka që ne mund të krenohemi, sepse ne synojmë që sektori privat të jetë ai që gjeneron rritje ekonomike”, thekson Thaçi.

Sipas tij, vendimet në favor të Kosovës do të ndikojnë pozitivisht tek investitorët e huaj, e rrjedhimisht ndikojnë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. /Telegrafi/