LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e Shqipërisë pas krizës ekonomike

Sfidat e Shqipërisë pas krizës ekonomike

Një raport i thelluar i PNUD-it mbi situatën ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe të ardhmen deri në 2015-n, tregojnë se vendi do të haset në sfida të vështira të qëndrueshmërisë pas daljes nga kriza ekonomike. PNUD pranon se Shqipëria u përball me krizën për shkak të infektimit të vendeve fqinje dhe sërish do të vijojë të jetë i rrezikuar, edhe pse situata duket e normalizuar.

Duke i dhënë një rëndësi të veçantë krizës greke dhe impaktit në ekonominë shqiptare, organizata më e lartë e OKB-së në Tiranë tregon në raport, se masat ekstreme të qeverisë së Athinës për të ruajtur ekonominë e saj mund të ndikojë në kthimin e emigrantëve në atdhe, sidomos të atyre që punojnë në ndërtim dhe në agro-bujqësi.

Në raportin "Shqipëria dhe Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit", i përfunduar në korrik 2010, PNUD vë në dukje tërheqjen e depozitave, si ishte shenja e parë e krizës financiare, duke filluar në fund të 2008 dhe në fillim të vitit 2009. Raporti vlerëson se dërgesat e emigrantëve "kanë qenë një burim i rëndësishëm për reduktimin e varfërisë dhe nga 2006 përbënin rreth 13për qind të PBB-së".

Por dërgesat e emigrantëve, theksohet në raport, kanë pësuar një rënie të moderuar që nga viti 2006, për rreth 10 për qind të PBB-së në 2009. Sfida e Shqipërisë për arritjet e mijëvjeçarit deri në 2015, konsiston në aftësinë e ekonomisë së vendit për të mbajtur në një nivel të qëndrueshëm investimet dhe zhvillimin social.


Raporti thekson se një sfidë e madhe për Shqipërinë është mbajtja e borxhit kombëtar nën 60 për qind të PBB-së, duke evidentuar faktin se Qeveria është e angazhuar të reduktojë deficitin vjetor nën 3 për qind, me qëllim uljen e shpenzimeve. /Telegrafi/