LAJMI I FUNDIT:

Privatizimi me problem edhe në komuna

Privatizimi me problem edhe në komuna

Problemet e shumta gjatë transformimit të pronës shoqërore në atë private, ka bërë që ankesat e komunave drejt Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të shtohen. Zyrtarë të AKP-së thonë se kërkesat e komunave shumica prej tyre, janë të ligjshme.

Përveç problemeve, të mos efikasitetit të ndërmarrjeve shoqërore pas privatizimit dhe pakënaqësive të punëtorëve edhe komunat kanë drejtuar ankesa në adresë të AKP-së, gjatë bartjes së pronës shoqërore në menaxhim privat. Krejt kjo, për shkak të kontesteve të ndryshme.

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi, tha se ata vazhdojnë të marrin një numër të konsiderueshëm të kërkesave nga Kuvendet Komunale për çështje të ndryshme, disa nga të cilat AKP i vlerëson të ligjshme, e disa ligjërisht të pa baza.
“Në mungesë të kornizës ligjore që do të mundësonte këmbimin e tokave në mes të AKP-së dhe komunave, Agjencia po ballafaqohet në disa raste me vendime që në AKP konsiderohen jo të drejta të marra nga ana e Komunave”, tha Kaloshi.

Ndërkaq, Alban Zogaj, drejtor për hulumtime në Institutin “Riinvest” tha se problemet në mes AKP-së dhe komunave janë për shkak të moskoordimint në mes tyre. "Këto probleme kryesisht po ndodhin për shkak të moskoordinimi të mirë në mes të nivelit qendror të qeverisjes dhe atij lokal”, thotë Zogaj.


Sipas tij, duhej të ekzistonte një lidhje më e mirë e nivelit lokal me organet qendrore, pasi që siç thotë ai. “nuk guxon që vendimet të bien ndesh me njëra tjetrën". /Telegrafi/