LAJMI I FUNDIT:

Protesta e vreshtarëve vazhdon

Protesta e vreshtarëve vazhdon

Vreshtarët e Rahovecit thonë se Qeveria e Kosovës dhe bodrumet ende nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje lidhur me gjetjen e një vendi për grumbullimin e prodhimit të tyre. Ata shprehen të pakënaqur dhe paralajmërojnë rinisje të protestave.

Menaxheri i bodrumit “Stone Castle” në Rahovec, thotë se kjo çështje nuk është problem i tyre, por i Qeverisë. Ndërkohë, prodhuesit e rrushit thonë se prodhimi i tyre çdo ditë e më shumë po prishet.

Vreshtarët e Rahovecit paralajmërojnë se brenda dy ditëve të ardhshme do ta rinisin protestat nëse nuk gjendet një zgjidhje për prodhimin e tyre, që nënkupton gjetjen e një vendi për grumbullimin e rrushit të vjelë.

Dy ditë më parë ata kishin ndërprerë protestën me arsyetimin se kanë dashur t’i japin pak kohë Qeverisë së Kosovës dhe bodrumeve, që ta shqyrtojnë problemin seriozisht. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e vreshtarëve thonë se ende nuk u është ofruar ndonjë zgjidhje apo marrëveshje lidhur me këtë çështje.


Labinot Shulina, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve, thotë se asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar deri më tash për vreshtarët. “Ne po presim përgjigje dhe po presim mirëkuptim nga njerëzit e Qeverisë dhe bodrumeve. Mundësitë janë reale, por s’kemi asgjë konkrete. Nëse nuk vjen deri te zgjidhja, ne tjetër rrugë nuk kemi. Me rëndësi është që ne nuk jemi për protesta, por këto po na i imponojnë Qeveria, podrumet dhe të gjithë”, thotë Shulina.

Ndërkaq, prodhuesit e rrushit thonë se temperaturat e larta të këtyre ditëve, tashmë kanë filluar të ndikojnë në prishjen e prodhimit të tyre.

Kujtim Dërguti, kultivues i rrushit, thotë se vreshtarët tash janë duke luftuar që të paktën të ruajnë investimet e tyre, e jo fitimin që do të duhej t’ua sillte prodhimi i rrushit.
“Deri më sot, jemi në humbje diku rreth 30 për qind. Ky diell që është tash, ende po e thanë rrushin dhe po i kalon afati i vjeljes. Unë i kam rreth 21 mijë hardhi rrushi. Rreth 10 mijë euro i kemi investuar aty. Faktikisht, 15 mijë euro është fitimi”, tha Dërguti.

Në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë nga Qeveria e Kosovës, për zgjidhjen e këtij problemi ka propozuar që sasia e verës së prodhuar gjatë vitit 2009 të subvencionohet dhe të krijohen lehtësi për bodrumet e verërave.

Sipas këtij propozimi, ndërmarrjet përpunuese do të merrnin nga 4 euro-centë për çdo litër verë të prodhuar gjatë vitit 2009.

Por, drejtuesit e prodhuesit më të madh të verës në Rahovec, “Stone Castle”, para objektit të të cilit edhe ishin bërë protestat, vlerësojnë se propozimi i Qeverisë nuk është zgjidhje reale. /Rel/Telegrafi/