LAJMI I FUNDIT:

Shkatërrimi i pyjeve shqetësues

Shkatërrimi i pyjeve shqetësues

Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, tha se shkatërrimi i pyjeve është një krim ekologjik dhe se njerëzit të cilët e bëjnë këtë krim të pariparueshëm do të përballen me ligjin.

Pas një njoftimi të Policisë së Kosovës lidhur me prerjet ilegale të pyjeve në fshatin Keqekollë të komunës së Prishtinës, ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci së bashku me ekipin e tij ishte në vendin e ngjarjes dhe shikoi për së afërmi dëmet e shkaktuara.

Osman Osmani, banor i këtij fshati kishte marrë nga MBPZHR-ja, përkatësisht nga Agjencia Pyjore e Kosovës (AKP), lejen për prerjen e 150 metrave kub dru, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur përafërsisht 400 metër kub dru të llojit bung, shkozë dhe qarr. Në këtë rast, ministri Stavileci dha urdhër të menjëhershëm për konfiskim të masës së jashtëligjshme.

“Këto janë krime ekologjike dhe ekonomike dhe këta njerëz të cilët e kanë bërë këtë krim të pariparueshëm që po shihet këtu, do të përballen me drejtësinë dhe ligjin dhe për ta nuk do të ketë aspak mëshirë. Ne jemi të përkushtuar që t’i shkojmë deri në fund luftimit të kësaj dukurie negative”, theksoi ministri Stavileci.


Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Agjencia Pyjore e Kosovës muajin e kaluar ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me të gjitha komunat e Kosovës, për delegimin e kompetencave në menaxhimin e pyjeve. /Telegrafi/