LAJMI I FUNDIT:

Më e madhe leverdia se ndëshkimi për korrupsion

Më e madhe leverdia se ndëshkimi për korrupsion

Drejtuesve të organeve të prokurimit, të cilëve u ka kaluar mandati, do t’u ndërrohet pozita. “Fshesa”, sipas “Kohës Ditore”, mund të përfshijë edhe drejtues që nuk u ka kaluar mandati, por që vlerësohet se nuk kanë punuar mirë, kanë bërë të ditur drejtues të Qeverisë së Kosovës.

Reagimi i qeveritarëve vjen menjëherë pas konstatimeve të Komisionit Evropian se në institucionet e prokurimit publik janë evidencuar shumë shkelje dhe pas rekomandimeve të këtij të fundit që prokurimit publik në Kosovë do t’i nevojitet një reformë rrënjësore.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se komisioni i ekspertëve ende nuk ka dhënë rekomandimet e veta sa u përket ndërrimeve specifike që do të bëhen.
“Është formuar një komision i ekspertëve i cili do të bëjë reforma në sistemin e prokurimit publik. Tanimë ka filluar reformimi në Ligjin e prokurimit publik, së bashku me ekspertë vendorë të Komisionit Evropian. Do të përpiqemi të bëjmë reformimin e tërësishëm të sistemit të prokurimit, sipas kritereve dhe kërkesave të Komisionit Evropian”, ka thënë ai.
Sipas tij, i pari që do të pësojë ndryshime është Ligji i prokurimit.
“Ne jemi në bashkëpunim të plotë me KE-në. Në çdo rast, në kuptimin e reformimit dhe të respektimit të procedurave ligjore, do t’i marrim masat adekuate.Unë besoj që tash është formuar grupi i ekspertëve që i jep propozimet dhe është vendimmarrja politike që do ta marrë vendimin adekuat. Ligji do të përputhet plotësisht me kërkesat e Komisionit Evropian”, ka thënë Kuçi.
Bëhet e ditur se anëtarëve në disa institucione të prokurimit u ka dalë mandati dhe do të bëhet përzgjedhja e të rinjve.
“Në çdo rast do të respektohen procedurat ligjore, si në rastin e emërimit ashtu edhe në atë të ndryshimit. Unë besoj që Qeveria aty ka përfunduar mandatin, do t’i bëjë propozimet e veta për kuvend. Nëse vlerësohet që nuk ka shkuar puna mirë, ne do t’i marrim masat adekuate”, ka thënë më tej Kuçi.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të fushës së prokurimit publik kanë vlerësuar se reforma në këtë sektor në radhë të parë kërkon depolitizimin e pozitave udhëheqëse.

Po ashtu ata kanë kërkuar edhe ngritje të sanksioneve për zyrtarët, të cilët janë të përfshirë në shkelje të ligjit.
Sipas drejtuesit të Organizatës për Antikorrupsion dhe Dinjitet, Avni Zogiani, ndërrimi i personave të cilët mbajnë këto pozita nuk do të sigurojë uljen e korrupsionit nëse nuk pasohet me ndëshkime të ashpra për shkelësit.


Zogiani ka thënë se vetë krijimi i strukturave menaxhuese të këtyre organeve është bërë për të lehtësuar përfitimet e qeveritarëve nga tenderët publikë pasi që njerëzit që i drejtojnë ato janë kryesisht të afërt me Qeverinë.
“OSHP-ja ka qenë institucioni i cili u ka shkuar prapa departamenteve të ndryshme duke ua mbuluar korrupsionin. Rekomandimi për ndërrimin e personave është naiv ashtu siç është naiv edhe ndërrimi i ministrave ndërkohë që nuk ka masa sanksionuese kundër korrupsionit. Nuk ka njeri perfekt andaj kushdo që të vijë në pozicione përfitimi nëse nuk ekziston frika nga sanksionet ai do të korruptohet”, ka thënë Zogiani.
Sipas tij, problemi është që e gjithë korniza ligjore antikorrupsion është bërë e tillë që sanksionet janë aq të ulëta saqë për një zyrtar më e leverdishme është ta thyejë ligjin e të pranojë sanksionin, sesa ta ruajë integritetin e institucionin. Ai ka thënë se kjo kornizë është shfrytëzuar nga shefat e departamenteve të prokurimit për të ndërruar më shumë zyrtarët e padëgjueshëm në pozitat më të ulëta sesa që është përdorur për të parandaluar korrupsionin.
“Në nivele joqendrore të prokurimit, si në nivele të organizatave buxhetore, ka pasur ndërrime e shkarkime të zyrtarëve të prokurimit, të cilët kanë qenë të padëgjueshëm për pushtetin aktual. Duhet të vlerësohet që KE-ja është involvuar më në fund në reformimin e tërë sistemit të prokurimit, por në Kosovë fatkeqësisht është krijuar një praktikë e tillë që politika korruptuese reflekton stabilitet politik, ndërrimet në Qeveri e kanë reflektuar këtë princip”, ka thënë Zogiani.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Shatri, ka bërë akuza për korrupsion në adresë të organeve të prokurimit.
“Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, si organ i cili merret me shqyrtimin e ankesave, të gjithë janë njerëz të afërt të Qeverisë të cilët pa u dhënë para nuk i shqyrtojnë kurrë ankesat. Problemi është që ndonjëherë porositet një ankesë kur dikush merr një kontratë dhe furnizuesve u shkon deri në 30 për qind e vlerës së tenderit në korrupsion”, ka thënë Shatri.
Ai ka sqaruar se Agjencia e Prokurimit Publik ka qenë e paraparë të shuhet, por nuk është shuar dhe Qeveria nuk e ka emëruar drejtorin e APP-së, por e ka lënë aty një ushtrues detyre.

Ndërkaq strukturës së KRPP nga viti 2004 i ka skaduar afati i mandatit dhe Qeveria nuk ia ka vazhduar mandatin drejtorit aktual. Shatri ka thënë se për të luftuar korrupsionin duhet të ndërrohet sistemi i prokurimit dhe të largohen njerëzit e politikës nga pozita e ushtruesve e detyrës.

Ai ka ngritur akuza të reja në drejtim të APP-së që nëpërmjet aprovimit të një numri të kontratave njëburimore po ngufat konkurrencën e tregut.
“Roli i APP-së është që nëse dikush do të bëjë tender njëburimor ata e vlerësojnë nëse ka nevojë ose jo dhe nuk përtojnë të bëjnë këtë. Madje edhe për furnizim me libra ku ka konkurrencë të mjaftueshme ata e kanë aprovuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”, ka thënë Shatri.
Sipas tij, ndryshimet duhen të jenë të shpejta për të qenë efektive, pasi që në rastin e Ligjit për partneritetin publiko-privat tani më janë hedhur në privatizim të gjitha ndërmarrjet e mëdha publike.

Gazeta është munduar të kontaktojë edhe udhëheqësit e organeve të prokurimit për të marrë komentet e tyre, por ata kanë qenë të pakontaktuar, ndërkohë që drejtuesi i APP-së, Ilir Rama, nuk ka dashur të prononcohej.
(koha)

Në trend Ekonomi

Më shumë
Auto Mita shpërblen me 20.000 euro dhuratë 10 blerësit e parë të Volvo XC90

Auto Mita shpërblen me 20.000 euro dhuratë 10 blerësit e parë të Volvo XC90

Volvo Kosova
Nga pamja e detit te rehatia moderne: Apartamentet në “Holiday In 2”

Nga pamja e detit te rehatia moderne: Apartamentet në “Holiday In 2”

Edil Project
KEK-ut i shtohen edhe 149 punëtorë të rinj

KEK-ut i shtohen edhe 149 punëtorë të rinj

Ekonomi
Të shpejta, të shijshme, plot vlera ushqyese - Kurseni kohë, pa sakrifikuar shijen me gjellërat e gatshme të MEKA-s

Të shpejta, të shijshme, plot vlera ushqyese - Kurseni kohë, pa sakrifikuar shijen me gjellërat e gatshme të MEKA-s

MEKA HALAL FOOD
Çmimet e derivateve në Kosovë, flet kryetari i Shoqatës së naftëtarëve

Çmimet e derivateve në Kosovë, flet kryetari i Shoqatës së naftëtarëve

Yllka Ramadani
Studio në Selanik: Një diplomë e dyfishtë MBA e klasit botëror nga Universiteti i York-ut dhe Universiteti i Strasburgut

Studio në Selanik: Një diplomë e dyfishtë MBA e klasit botëror nga Universiteti i York-ut dhe Universiteti i Strasburgut

CITY College
Kalo në kategori