LAJMI I FUNDIT:

Zvicranët, 4 mld euro investim në Shqipëri

Zvicranët, 4 mld euro investim në Shqipëri

Qeveria shqiptare dhe ‘Rudana Grup AG’ , një konsorcium investitorësh nga vendet e Gjirit Persik dhe Evropa, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për financimin e 4 miliardë eurove. Sipas kësaj marrëveshjeje, në katër vjetët e ardhshëm në Shqipëri do të ndërtohen HEC-e me kapacitet të përgjithshëm prej 1 000 megavatësh.

“Parashikohet ndërtimi i një rafinerie të re në Portoromano; shprehet interesi për privatizimin e Albpetrolit; flitet për të ndërtuar një qendër të studimit të hapësirës dhe të tokës; ndërtimin e një qyteze të re me një teknologji të re, duke respektuar ambientin; ndërtimin e një porti të ri në qytetin e Vlorës, ose privatizimin e atij ekzistues”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.
Kjo marrëveshje parashikon dhe investime në porte, infrastrukturë, si dhe privatizimin e disa objekteve shtetërore.

“Sot në Shqipëri kemi një hapësirë të paktën edhe për 2 200 megavatë të reja vetëm hidrocentrale. Ky fond do të shohë jo vetëm projektet e reja po mbase edhe koncensionet ekzistuese kur investuesit aktualë nuk kanë mundësi t’i përfundojnë investimet”, u shpreh Prifti.

Ministri Prifti deklaroi se ky është një nga investimet më të mëdha të kohëve të fundit. Përfaqësuesit e ‘Rudana Grup’ thanë se kanë vëzhguar për rreth 20 vjet mundësitë për biznes që ka Shqipëria dhe konfirmojnë se do të jenë në gjendje t’i plotësojnë pikat e marrëveshjes në këto 4 vjet.