LAJMI I FUNDIT:

Reja vullkanike arrin në Kosovë

Reja vullkanike arrin në Kosovë

Sonte prej orës 22 deri nesër në mesditë mbyllet aeroporti i Prishtinës, ka bërë të ditur për KTV-në, zëdhënësi i ANP-së, Altin Ahmeti. Mbyllja bëhet për shkak se pritet kalimi i hirit vullkanik edhe nëpër Kosovë. Sipas Ahmetit, hapësira kontaminohet prej nivelit të tokës deri në 6 mijë metra lartësi. Ndërsa gjatë ditës, prej 13 fluturimeve, 8 prej tyre janë realizuar. Arritjen e hirtit vullkanik edhe në Kosovë e ka konfirmuar edhe Qendra Meteorologjike Evropiane.

Sipas pamjeve satelitore të prezantuara nga kjo qendër, aktualisht reja e hirit është mbi Ballkan. Meteorologu kosovar, Sylë Tahirsylaj, thotë se pluhuri është duke shkuar nga Italia, por mund të arrijë në Kosovë nëse ndërron drejtimi i erës. “Aktualisht, pluhuri e ka zonën e veprimit deri në hyrje të Italisë, Kroacisë, Vojvodinës. Njëherë në Kosovë nuk ka asgjë, është duke shkuar nga Italia.

Nuk përjashtohet mundësia që të vijë edhe në Kosovë.”, ka deklaruar Tahirsylaj. Në territorin ajror të pjesës së Bashkimit Evropian nga sot do të fillojë vendosja graduale dhe e koordinuar e trafikut ajror, njoftuan ministrat e trafikut. Kjo marrëveshje u arrit gjatë një video konference, të mbajtur të hënën vonë, në të cilën ministrat folën për krizën e krijuar në trafikun ajror për shkak të përhapjes së reve të hirit vullkanik nga Islanda.

Kjo hapje e pjesshme e trafikut ajror ka hyrë në fuqi sot, në orën 8 të mëngjesit, sipas kohës lokale, ka thënë ministri spanjoll i Trafikut, Hose Blanco. Në një njoftim nga Brukseli pas këtij takimi, komisari evropian për Transport, Sim Kallas, ka theksuar se është bërë një hap i madh.


Ai veçoi se ministrat e trafikut të BE-së u pajtuan njëzëri në bazë të propozimit të autoriteteve kombëtare dhe ekspertëve të Agjencisë Evropiane për Kontrollimin e Fluturimeve që të shtojnë koordinimin evropian dhe të vlerësojnë rrezikun në hapësirën ajrore. /koha/