LAJMI I FUNDIT:

Bechtel & Enka, gati për nisjen e autostradës

Bechtel & Enka, gati për nisjen e autostradës

Kompania fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare, Bechtel & Enka ka sjellë të dielën në Kosovë mbi 30 makineri ndërtimi, në kuadër të fazës së parë të mobilizimit të mjeteve për autostradën Morinë-Merdare, ndërtimi i së cilës do të fillojë më 25 prill.

Bëhet e ditur se mbi 30 makineri të rënda ndërtimi janë vendosur në rajonin e Prizrenit, në përgatitje për nisjen e punimeve në autostradë, për të cilën do të përdoren mbi 1.100 makineri ndërtimi.

Përndryshe, autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur, hyrje daljet vetëm në kyçjet e autostradës. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3.0 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Autostrada do të ketë mbikalime, nënkalime dhe të gjitha pajisjet e rrugës ku përfshihen sinjalizimi dinamik, sistemet e komunikimit, ndriçimin në udhëkryqe dhe barrierat kundër zhurmës.


Periudha e defekteve është 18 muaj në Kosovë, ndërsa periudha e garancisë është 6 vjet. /rtv21/telegrafi/