LAJMI I FUNDIT:

Depozitat rriten për 135 mln euro

Depozitat rriten për 135 mln euro

Depozitat e familjeve dhe bizneseve shqiptare në sistemin bankar u rritën me 135 milionë euro gjatë muajit janar, duke shënuar rritjen më të lartë mujore që nga gushti i vitit të kaluar, gjë që e rriti totalin e depozitave përtej maksimumit historik të shënuar para krizës së vitit 2008. Sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave, totali i depozitave në sistem arriti në 713 miliardë lekë, (5.16 miliardë euro), duke shënuar një rritje me 10 për qind në krahasim me një vit më parë.

Dy të tretat e depozitave të reja u furnizuan nga klientët individë, ndërsa një e treta nga kompanitë e biznesit. Depozitat janë shtuar vazhdimisht që nga gushti i vitit të kaluar, por në gusht dhe janar, rritja ka qenë me ritëm shumë të lartë.

Sistemi bankar shqiptar u përball me një krizë besimi në muajt shtator ’08-prill ’09, krizë që u shkaktua nga pasiguritë e krijuara nga kriza financiare botërore. Banka e Shqipërisë i ndihmoi bankat e nivelit të dytë, duke i dhënë para me interesa./shqip/