LAJMI I FUNDIT:

Nayak: Qeveria të angazhohet seriozisht për tërheqjen e investimeve

Nayak: Qeveria të angazhohet seriozisht për tërheqjen e investimeve

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak tha se qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme dhe të angazhohet seriozisht për tërheqjen e investimeve. Në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën (RTK), ai tha se Banka Botërore do të mbështes sidomos në mbështetje të energjetikës dhe bujqësisë si lëmi që Banka i konsideron motorë të rritjes ekonomike të Kosovës. Sipas tij, nevojitet angazhim gjithëpërfshirës edhe në luftimin e korrupsionit.

Radio Kosova: Banka Botërore e ka mbështetur Kosovën gjatë tërë viteve të pasluftës. A vlerësoni se është shënuar zhvillim i mjaftueshëm gjatë kësaj periudhe?

Ranjit Nayak: Mendoj se progresi është një proces gradual, ne kemi parë përmirësime gjatë një periudhe por ende ka shumë punë për t’u bërë. Dhe, veçmas ne si Bankë Botërore, po mundohemi të shqyrtojmë seriozisht mundësitë dhe mënyrat për të pasur një zhvillim më të shpejtë ekonomik. Pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore, tani kemi një strategji të re dyvjeçare, prandaj do të vazhdojmë disa nga aktivitetet që jemi duke i bërë tani në bashkëpunim me qeverinë, si në arsim, energji dhe sektorin social dhe më tutje do të bëjmë më shumë në modernizimin e sektorit publik, në pronën e paluajtshme dhe në kadastër.

Radio Kosova: Cilat janë të arriturat kryesore dhe ngecjet gjatë kësaj periudhe?


Ranxhit Najak: Një nga të arriturat kryesore gjatë dhjetë viteve të fundit ka qenë tranzicioni i suksesshëm i administratës nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës. Së dyti, për herë të parë institucionet kosovare filluan të zhvillojnë politikat dhe buxhetin, dhe zhvillimi i tretë ka qenë një ripërtëritje e interesimit të partnerëve dhe donatorëve për të ardhmen e Kosovës. Sa i përket ngecjeve, mbetet shumë për t’u bërë në nivelin e zhvillimit të institucioneve, zhvillimin e sistemeve dhe hartimin e ligjeve përkatëse.

Radio Kosova: Kosova gjatë vitit të kaluar është bërë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërkohë Banka Botërore këto ditë ia ka akorduar edhe kredinë e parë Kosovës. Sa i plotëson Kosova kushtet për përfitimin e kredive të kësaj banke?

Ranjit Nayak: Lidhur me kreditë që i kemi dhënë tani, mendoj se Kosova i ka plotësuar kushtet, në të kundërtën nuk do t’i jepnim. Këto kredi janë të kombinuara me grante dhe janë kreditë e para për Kosovën. Këto kredi janë dhënë me kushte shumë të favorshme, me zero për qind interes dhe që duhet të kthehen për 40 vjet. Mendojmë se brenda një periudhe kaq të gjatë, buxheti do të rritet dukshëm. Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë që të fillojë t’i kthejë ato gjatë dhjetë viteve të ardhshme, por është shumë e rëndësishme për qeverinë që vazhdimisht t’i përmbahet dallimit në mes të një kredie dhe granteve, sepse kredia nënkupton që duhet të jetë një kuptim i lartë i përgjegjësisë, pasi këto fonde duhet të kthehen. Prandaj prioritetet, programet, politikat duhet të mendohen shumë mirë.

Radio Kosova: Sa është vlera e donacioneve, që Banka Botërore ia ka dhuruar Kosovës gjatë periudhës së pasluftës?

Ranjit Nayak: Si donacione, kanë qenë rreth 230 deri në 240 milionë dollarë, që janë dhënë në sektorë të ndryshëm duke filluar nga infrastruktura deri te sektori social. Por këto fonde kanë tërhequr edhe fonde nga donatorët tjerë, pasi kur Banka Botërore jep donacione, atëherë edhe donatorët tjerë ndjehen të inkurajuar të kontribuojnë gjithashtu.

Radio Kosova: Banka Botërore në raportin e fundit “Doing business 2010” ka vlerësuar se në Kosovë nuk ka kushte të favorshme për të bërë biznes. Cilat janë rekomandimet tuaja për të ndryshuar këtë gjendje?

Ranjit Nayak: Kur e kemi radhitur Kosovën në një rang në mesin e shumë vendeve, kjo nënkupton një indikacion se ku qëndron Kosova në klimën globale të investimeve. Kjo do të thotë se një faktor kyç për zhvillimin e sektorit privat është furnizimi me energji elektrike. Shpresojmë se në të ardhmen e afërt të kemi furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor me energji. Së dyti është klima ligjore, pra ne duam ligje të favorshme për investitorët që të vijnë me biznesin e tyre. Së treti është struktura e tatimeve. Tashmë është shënuar përmirësim në regjimin e tatimeve dhe tatimi në fitim të korporatave ka ndryshuar nga 20 në 10 për qind. Së katërti është mundësia e dhënies së garancive për kompanitë private që vijnë këtu. Për shembull për ndërtimin e termocentralit të ri, ne po konsiderojmë mundësinë që të ofrojmë garanci për tërheqjen e investitorëve, mundësisht edhe garanci për privatizimin e KEK-ut, sepse këto janë pasuri të rëndësishme dhe projekte të mëdha për Kosovën. Për tërheqjen e investimeve dhe kompanive të mëdha roli i Bankës Botërore është që të qëndrojë në partneritet dhe që ta mbështesë qeverinë në proceset e saj.

Radio Kosova: Qeveria ka arritur marrëveshje për mbrojtjen e investimeve me disa vende. Çfarë mbështetje do të jepni ju në këtë drejtim?

Ranjit Nayak: Për shembull në sektorin e energjisë, ne nuk do të investojmë por do të ndajmë disa miliona euro që do të jenë në dispozicion të qeverisë, për t’ua paraqitur investitorëve, që t’i sigurojë ata se investimet e tyre nuk do të humbin nëse ndodh ndonjë rrezik, që mund të jetë ekonomik dhe politik

Radio Kosova: A ka rrezik politik tani pas zgjidhjes së statusit të Kosovës?

Ranjit Nayak: Shpresojmë që jo, që nuk do të ketë më rrezik politik, por këtu mund të përfshihen rreziku potencial nga situata e sigurisë, nga ndryshimet e shpeshta në qeveri, sepse disa nga këto gjëra nuk i bëjnë investitorët të ndjehen rehatshëm.

Radio Kosova: Janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në realizimin e Termocentralit “Kosova e re”. A është në rrugë të mbarë tani ky proces?

Ranjit Nayak: Janë një sërë gjërash që kanë pasur ndikim në proces, ndër to shpallja e pavarësisë, po ashtu kriza globale financiare dhe ndryshimet në qeveri. Ka qenë edhe tranzicioni nga UNMIK-u te qeveria e Kosovës. Pra këto kanë ndikuar në vonesa, por tani mendojmë se jemi në rrugë të mirë. Kemi krijuar kritere të reja dhe kemi pasur interesim serioz nga gjashtë investitorë, prej të cilëve komiteti drejtues ka vendosur që t’i përzgjedhë katër dhe besoj që këto katër kompani do të ofrojnë konkurrencë të mirë, që do të ndikojë edhe në uljen e çmimit dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për vendin, sepse secila nga këto katër kompani mund të bëjë një punë të cilësisë së lartë. Nuk jam i brengosur sa i përket investimeve, por ka shumë punë që ne duhet të bëjmë në Kosovë për t’u përgatitur për investime, kjo përshin strategjinë e ujërave, një plan të mirëfilltë të zhvendosjes së banorëve, një politikë të qëndrueshme të mjedisit dhe të kemi disa ligje që e lehtësojnë procesin. Që të mos kemi vonesa të mëtejshme, është përgjegjësi që tani t’i kemi të gjitha këto strategji dhe politika.

Radio Kosova: A do të ketë interesim të investitorëve, në rast se në projekt nuk përfshihet termocentrali Kosova B, dhe duke marrë parasysh edhe vendimin e komisionit të energjisë që minierat të jepen në shfrytëzim për 30 vjet, plus 15, e jo 40 siç ka propozuar qeveria?

Ranjit Nayak: Një nga gjërat e rëndësishme është që t’i tregojmë botës në mënyrë koherente se çka dëshirojmë saktësisht. Dhe nëse dërgojmë në tregun ndërkombëtar sinjale të ndryshme, pika të ndryshme, do të humbim interesimin e tyre dhe kjo do të ngadalësojë procesin edhe më tutje, por ne nuk duam të krijojmë përshtypje në tregun ndërkombëtar se nuk jemi serioz. Çfarëdo që të ofrojë në treg, qeveria e Kosovës duhet të vendos qartë dhe me kujdes, pastaj i mbetet investitorit privat që të mendojë se çka do të investojë. Shpresoj që të gjitha diskutimet në Komision, në Qeveri, në Parlament të zgjidhen shumë shpejt.

Radio Kosova: Sipas disa raporteve vendore e ndërkombëtare, janë vënë në pah dyshimet për rritjen e korrupsionit në nivele të larta institucionale të Kosovës. A po rrezikon kjo dukuri zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit?

Ranjit Nayak: Korrupsioni në përgjithësi është i pranishëm gjithkund, si në vendet e zhvilluara po ashtu edhe në ato në zhvillim, por është e rëndësishme që korrupsioni të mos jetë barrierë, pengesë për zhvillimin e vendit. Nëse është një përshtypje se nuk ka mjaft transparencë, nuk ka mjaft llogaridhënie, atëherë do të ketë interesim më të vogël nga ana e investitorëve, prandaj është shumë e rëndësishme që të ndërmerren më shumë hapa në mënyrë të dukshme për adresimin e këtij perceptimi. Mendoj se është perceptim, pasi është shumë e vështirë të llogaritet niveli i korrupsionit, ndërkaq për investitorët perceptimi, apo përshtypja është gjithçka. Është mirë që ne të jemi të hapur dhe të bëjmë gjithçka që të tërheqim investimet.

Radio Kosova: A po bën përpjekje të mjaftueshme qeveria që ta luftojë këtë fenomen?

Ranjit Nayak: Korrupsioni si koncept është shumë më i gjerë se qeveria. Korrupsionit duhet t’i qaset e tërë shoqëria, duke përfshirë edhe qeverinë. Ngelet shumë punë për t’u bërë, kemi Agjencinë Antikorrupsion, e cila duhet të forcohet, ligjet antikorrupsion duhet të hyjnë në fuqi, dhe individët, kur ekzistojnë dëshmi konkrete, duhet të dënohen. Gjyqësori luan një rol të rëndësishëm së bashku me agjencinë kundër korrupsionit që t’i sjell njerëzit para drejtësisë. Sistemit gjyqësor i nevojitet ndihmë teknike dhe trajnime dhe duhet të shihet mënyra sesi të vihet në funksion legjislacioni. Duhet të sigurohemi që legjislacioni të përcaktohet me shumë saktësi dhe sistemi gjyqësor të ketë ligje që i ndëshkon njerëzit atëherë kur ka dëshmi të forta, sepse njerëzit mësojnë nga shembujt.

Radio Kosova: Kosova vazhdon të përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfëri të madhe të popullatës. Si e sheh BB daljen nga kjo situatë?

Ranjit Nayak: Janë tri gjëra që do të dëshironim që t’i bënte qeveria, për çfarë ne e mbështetim fuqishëm. Së pari, është që të ketë politikë të punësimit që nuk e ka tani. Banka Botërore së bashku me 11 donatorët tjerë po e ndihmojnë Kosovën përmes ofrimit të granteve për buxhetin, që është një shumë prej rreth 102 milionë dollarë amerikanë për të siguruar që Kosova të ketë politikë për të punësim të qëndrueshëm, që kjo politikë të gjenerojë punësim dhe zvogëlojë papunësinë. Së dyti dëshirojmë të modernizojmë sektorin publik të qeverisë, me modernizimin e sektorit publik, ai do të ketë strukturë të mirë administrative, zyrtarët do të kenë një sistem të shërbimit civil mjaft të mirë, do të ketë grada të shërbyesve civilë dhe paga të ndryshme, dhe shërbyesit civilë do të trajnohen dhe do të ketë procese administrative të qarta. Kjo do të ndihmonte shumë që t’i qasemi edhe problemit të korrupsionit, por edhe do të përshpejtonte proceset e zhvillimit ekonomik. Është edhe e treta për të zhvilluar një treg të tokës që është ligjor, të pronave në përgjithësi dhe kjo do të thotë që secili do të identifikojë madhësinë e pasurisë, kjo do të futet në sistem elektronik dhe secili do të ketë një dokument ligjore dhe kjo promovon investime të qarta për shembull në bujqësi, do të ndihmojë për të marrë edhe kredi në banka pasi ke kolateral dhe kjo do të zvogëlonte edhe normat e interesit. Pra këto janë tri fusha në të cilat do të fokusohemi gjatë dy viteve të ardhshme.

Radio Kosova: Si mund të zvogëlohet papunësia kur tregut të punës i shtohen çdo vit rreth 30 mijë të papunë?

Ranjit Nayak: Kjo është saktësisht sfida e politikës së punësimit që numri i vogël i vendeve të punës të rritet, qoftë në sektorin e energjisë, infrastrukturë, transport apo në shëndetësi e arsim. Për shembull, kur privatizon industritë apo përdor teknologji të nivelit të lartë, politika do të na udhëzojë se si ta zhvillojmë kapacitetin e njerëzve dhe si t’iu qasemi atyre që kanë nevojë për shkathtësi të reja. Ajo do të udhëzojë se sa ka nevojë për punësim të mëtejshëm apo zvogëlim të këtij punësimi. Tash për tash nuk ka ndonjë strategji koherente se çfarë po ndodh. Duhet të shikojmë se cilët janë faktorët që e nxisin zhvillimin sepse nëse marrim parasysh vetëm punësimin, kjo nuk e zgjidh problemin. Duhet të kemi motorin që gjeneron punësim dhe kjo është sektori i energjisë, i bujqësisë, që varen shumë nga një sistem i mirë kadastral si dhe sektori publik.

Radio Kosova: A do ta mbështesë Banka Botërore realizimin e autostradës Vërmicë – Prishtinë, nëse ndryshon traseja e saj?

Ranjit Nayak: Banka Botërore nuk e financon autostradën. Ne mendojmë të fokusohemi më shumë në sektorin e energjisë dhe atë të bujqësisë, sepse ato janë motorët e rritjes ekonomike. Sidoqoftë, ne kemi siguruar këshilla politike qeverisë dhe ideja e përgjithshme është që të sigurohemi që fondet nga buxheti të jenë të gatshme dhe që ajo të ndërtohet me faza, sepse në buxhet nuk ka fonde që autostrada të ndërtohet përnjëherë. Prandaj do të ndërtohet në faza të ndara dhe kjo është e mundur. Ne do të mbështesim çfarëdo ndryshimi qoftë në dizajn, qoftë gjatë ndërtimit, i cili nuk i kushton shumë qeverisë së Kosovës. Çfarëdo dizajni që i kursen para qeverisë është i mirëseardhur për qeverinë. Është e rëndësishme të sigurohemi që të ketë para të mjaftueshme në buxhet dhe të ketë kërkesa të mjaftueshme nga njerëzit për përdorimin e rrugës. Qeveria duhet t’i marrë në konsiderim të dyja.

Radio Kosova: Përse qeveria ka bërë negociata me kompaninë Bechtel-Enka, kur për këtë projekt ishte shpallur tender?

Ranjit Nayak: Qeveria është duke menaxhuar procesin e tenderit prandaj Banka Botërore nuk është e përfshirë në tender dhe na kanë thënë se janë në negociata dhe se ende nuk është arritur marrëveshje. Procesi është zhvilluar me seleksionim e më pas me bisedime dhe në rast se negociatat dështojnë, pra nuk arrihet marrëveshje, atëherë ata shkojnë tek kandidati i dytë.

Radio Kosova: Çfarë roli do të luajë BB në zhvillimin e ardhshëm të Kosovës

Ranjit Nayak: Kemi strategjinë dyvjeçare të cilën e kemi shpallur kohët e fundit. Pra do të mbetemi të angazhuar, do të vazhdojmë të punojmë në përputhje me prioritetet e qeverisë. Parashihen rreth 200 milionë dollarë që do të jepen gjatë këtyre dy viteve. Kjo nuk përfshin garancitë, pasi ato janë të veçanta. Kjo është vetëm pjesa e parave, por pjesa më e rëndësishme është ajo se ne do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetje teknike. Ne dëshirojmë t’i vëmë themelet e shumë sektorëve, sepse kur e ke bazën, është e lehtë për të ndërtuar diçka. Sa i përket sektorëve, ne do të fokusohemi në sektorin publik që të modernizohet sektori publik, kurse numër dy është sektori i kadastrave, pronave dhe bujqësisë. Ne do të fokusohemi fuqishëm në këta sektorë sepse janë strukturat bazë për gjithçka. /Rtklive/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Të shpejta, të shijshme, plot vlera ushqyese - Kurseni kohë, pa sakrifikuar shijen me gjellërat e gatshme të MEKA-s

Të shpejta, të shijshme, plot vlera ushqyese - Kurseni kohë, pa sakrifikuar shijen me gjellërat e gatshme të MEKA-s

MEKA HALAL FOOD
Vetura Scout - Platforma që ndryshon rregullat e shitblerjes së veturave në Kosovë!

Vetura Scout - Platforma që ndryshon rregullat e shitblerjes së veturave në Kosovë!

Vetura Scout
Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin

Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin

Ekonomi
American Brain - Histori suksesi për shërimin ndaj varësisë së drogës dhe alkoolit

American Brain - Histori suksesi për shërimin ndaj varësisë së drogës dhe alkoolit

AMECC Rezonanca
Fito VESPA dhe udhëtim në çift në Amsterdam

Fito VESPA dhe udhëtim në çift në Amsterdam

IP Petrol
Auto Mita shpërblen me 20.000 euro dhuratë 10 blerësit e parë të Volvo XC90

Auto Mita shpërblen me 20.000 euro dhuratë 10 blerësit e parë të Volvo XC90

Volvo Kosova
Kalo në kategori