LAJMI I FUNDIT:

“Economist”: Shqipëria, 3.450 USD për frymë

“Economist”: Shqipëria, 3.450 USD për frymë

Vlerësimi i të paktën dy institucioneve financiare, ndër më të rëndësishmet në botë, lidhur me të ardhurat për frymë të popullsisë në Shqipëri gjatë vitit 2009, rrezikon sërish të hapë debate.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, ndër 20 vende të “përtej-perdes së hekurt”, Shqipëria aktualisht renditet e treta, duke lënë pas në këtë parametër vetëm Ukrainën dhe Moldavinë.

Revista “The Economist” publikoi këto ditë analizën e saj me titull “Mure në mendje”, kushtuar ndryshimit të vendeve evropiane që nga viti 1989.

Sipas revistës, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri, pjesëtuar për banor, për vitin në vazhdim është 3.450 dollarë amerikanë. Kjo shifër është më e ulët se niveli i Bosnje-Hercegovinës (4.080 dollarë), Maqedonisë (4.410 dollarë), Malit të Zi (6.510 dollarë). Ndërkohë, listën e mbyllin Moldavia me 1.510 USD dhe Ukraina me 2.520 USD/frymë.


Kjo shifër është shumë më e ulët se niveli i raportuar disa herë, si nga kryeministri Berisha, ashtu edhe nga kryefinancieri Bode, sipas të cilëve, raporti PBB/numër popullsie në Shqipëri është mbi 4 mijë dollarë.

Në vitin 2008, vlerësimi i FMN-së për Shqipërinë ka qenë 3.354 dollarë për frymë, i ndryshëm nga vlerësimi i Bankës Botërore, që e jepte këtë vlerësim në 3.323 dollarë, ndërkohë që për CIA-n shifra ishte 2.950.

Nga ana e tij, Instituti zyrtar shqiptar i Statistikave e ka kaluar këtë nivel, edhe me vlerësimin për vitin 2007. INSTAT-i ka ofruar shifrën më optimiste për sa i përket raportit PBB/numër popullsie gjatë vitit 2007, me 3.465 USD, pra më të lartë, dy vjet më parë, se vlerësimi që bëjnë ndërkombëtarët për këtë vit. /balkanweb/