LAJMI I FUNDIT:

Auditohet edhe Auditori i Përgjithshëm

Auditohet edhe Auditori i Përgjithshëm

Procesit të auditimit së shpejti pritet t’i hyjë edhe Auditori i Përgjithshëm. Kështu kanë thënë zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë të këtij lëmi, por, sipas tyre, auditimin duhet ta kryejë një kompani profesionale ndërkombëtare. Auditori i Përgjithshëm bën auditimin se si janë shfrytëzuar paratë publike nga ana e institucioneve të Kosovës.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, ka thënë se të gjitha institucionet të cilat e shfrytëzojnë paranë publike duhet të auditohen.

“Të gjithë shfrytëzuesit e parasë publike është mirë të auditohen dhe të ketë raporte për auditimin e tyre, për mënyrën se si po i shpenzojnë paratë, në këtë rast edhe Auditori i Përgjithshëm”, ka theksuar Hamza.

Ndërkaq, Ilire Daija-Buza, kryesuese e Marrëdhënieve me Publikun në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, ka bërë të ditur se pasqyrat financiare vjetore për herë të fundit janë audituar në vitin 2007.


“Auditori i Përgjithshëm nga mesi i vitit të kaluar ka emëruar Grant Thornton për të kryer këtë auditim. Raporti i tyre ka përfunduar në mars të vitit 2008”, ka treguar Daija-Buza duke shtuar se kompania e cila do ta bëjë auditimin e pasqyrave financiare të Auditorit të Përgjithshëm duhet të emërohet nga Kuvendi i Kosovës.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i ka propozuar Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit që të emërojë një auditor financiar për të dy vjetët 2008 dhe 2009, por ende është në pritje të vendimit.

“Kriteri kryesor është që auditori duhet të jetë profesional. Në situatën e tanishme kjo nënkupton që firma vendore duhet të lidhet me firmë ndërkombëtare të auditimit për të siguruar cilësi në këtë detyrë”, është shprehur Daija-Buza.

Po ashtu edhe auditori i licencuar, Xhevat Meha, ka thënë për “Epokën e re” se duhet të dihet auditimi i shpenzimeve, që është bërë nga Auditori i Përgjithshëm.

“Çdo institucion i cili ka shpenzime duhet të auditohet, po ashtu edhe Auditori i Përgjithshëm”, ka theksuar Meha dhe ka shtuar se duhet të angazhohet një kompani profesionale e cila do ta kryente auditimin.

“Me letra kompanitë vendore kanë kapacitet për ta kryer auditivin, por në realitet ato nuk kanë kapacitete të tilla. Do të ishte e mirë që të angazhohet një kompani ndërkombëtare”, është shprehur Meha. /Epoka e Re/