LAJMI I FUNDIT:

Buxheti i Shqipërisë 4.5 miliardë dollarë

Buxheti i Shqipërisë 4.5 miliardë dollarë

Ministria e Financave tha se të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për vitin e ardhshëm pritet të jenë 361 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet rreth 411 miliardë lekë, (4.47 miliardë dollarë ose 3 miliardë euro). Sipas tij, buxheti do të rritet me rreth 600 milionë dollarë në krahasim me këtë vit, ndërsa deficiti buxhetor është programuar në 3.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rruga Rrëshen-Kalimash pritet të hajë edhe 6 miliardë lekë të tjera më 2010, ndërkohë që ka ngrënë 40 miliardë lekë gjatë vitit 2009.

Qeveria shqiptare poashtu ka në plan të ngrejë 50 miliardë lekë borxhe (534 milionë dollarë, 365 milionë euro), për të financuar deficitin buxhetor të vitit 2010, deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode.

"Buxheti është tërësisht i realizueshëm pasi sot Shqipëria ka një rritje ekonomike, të paktën 3 herë më të lartë nga vendi me rritjen me të madhe në Europë", deklaroi Bode. "Në 2010, një sërë vendesh të rajonit dhe më gjerë do të kenë rritje të mëtejshme të deficitit dhe borxhit publik. Në 2010-ën, parashikohet një rritje e pagave dhe ulje e deficitit vjetor dhe borxhit publik", vijoi ai. Kreu i Financave deklaroi se rritja e programuar e të ardhurave do t‘i lejojë qeverisë që të vazhdojë të mbajë stimujt fiskalë, për të mbështetur rritjen ekonomike.