LAJMI I FUNDIT:

Një tren evropian për Kosovën

Një tren evropian për Kosovën

“Kosova duhet ta ndërtojë ‘trenin evropian’, i cili në vendet e Bashkimit Evropian përdoret shumë. Trenat përdoren shumë për të udhëtuar në Bashkimin Evropian, andaj edhe Kosova duhet t’i modernizojë hekurudhat, që janë pjesë e zhvillimeve të vendit”, ka thënë studenti nga Austria, Viktor Plasnik

Studenti nga Austria, Viktor Plasnik, kishte vendosur që ta bënte një udhëtim me tren nëpër Ballkanin Perëndimor. Ai kishte përshkuar me tren Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë, në fund – Kosovën.

Udhëtimi në Kosovë ishte më i veçanti, për faktin se ai kishte pasur rastin t’i shijonte bukuritë natyrore dhe ndryshimet që janë duke u bërë në infrastrukturën hekurudhore të vendit.

Studenti Plasnik me të arritur në Prishtinë, në një takim me miqtë e tij, ka thënë se Kosova duhet të investojë shumë në hekurudha.


“Kosova duhet ta ndërtojë ‘trenin evropian’, i cili në vendet e Bashkimit Evropian përdoret shumë. Trenat përdoren shumë për të udhëtuar në Bashkimin Evropian, andaj edhe Kosova duhet t’i modernizojë hekurudhat, që janë pjesë e zhvillimeve të vendit”, ka thënë studenti nga Austria, Viktor Plasnik.
Ditë më parë kanë filluar riparimet e urave në linjën hekurudhore Mitrovicë-Hani i Elezit. Zëdhënësi i Hekurudhave të Kosovës, Refet Çitaku, ka thënë se ka filluar lyerja e urave të trenave që të ndryshojë pamja e tyre dhe do të bëhen më atraktive për udhëtarët.

“Ky projekt ka rëndësi për sigurinë në mbikalime nëpër këto ura, por edhe i jep një pamje estetike kësaj linje hekurudhore”, ka theksuar Çitaku.

Ai është shprehur se pamja e urave bën që të krijohet një imazh i mirë për Hekurudhat e Kosovës, që në të ardhmen mëtojnë të zhvillohen.

Ndryshe, një mesazh optimizmi për udhëtarin austriak dhe ata që do ta vizitojnë Kosovën, ka dhënë ministri i Transporteve dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj, i cili ka premtuar se në të ardhmen do të angazhohet që linjat hekurudhore t’i plotësojnë kërkesat, të cilat dalin nga Komisioni Evropian, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e pandashme e Rrjetit të Integruar Hekurudhor të Bashkimit Evropian.

Deri në vitin 2013 hekurudhat e Kosovës do të modernizohen.