LAJMI I FUNDIT:

Edhe 28 milionë euro nga privatizimi

Edhe 28 milionë euro nga privatizimi

Dhjetë ndërmarrje të rrethit të 40 të privatizimit, të tenderuara përmes spin-offit të rregullt, u shitën për rreth 28 milionë euro. Më së shtrenjti u shitën ndërmarrja “Sharr Salloniti” në Han të Elezit –për rreth 8.9 milionë euro dhe hotel Oniks në Banjë të Pejës – për rreth 8.6 milionë euro, u bë e ditur sot gjatë ceremonisë së hapjes së ofertave nga zyrtarët e AKP-së në Prishtinë....

Zyrtarët e AKP-së shpallën sot fituesit e përkohshëm të ndërmarrjeve të rrethit të 40-të të privatizimit. Për dhjetë ndërmarrje të këtij rrethi u paraqitën 47 oferta, ndërsa shuma e përgjithshme e shitjes arrin në rreth 28 milionë euro.
Oferta më e lartë ishte për ndërmarrjen “Sharr Salloniti” në Han të Elezit, rreth 8.9 milionë euro, kurse për hotelin Oniks oferta më e lartë ishte 8.6 milionë euro. Ndërmarrja Morava e Bincës u shit për 4.5 milionë euro, qumështorja “Konzume” në Fushë Kosovë 1.1 milionë euro, kurse “Kosova Vera” në Krushë të Vogël – një milionë euro.

Më së shumti oferta pati për ndërmarrjen “Metamb” që gjendet në zonën industriale në Prishtinë, 15 sosh, kurse oferta më e lartë ishte 2.6 milionë euro.
Për dy ndërmarrje nuk pati fare ofertues, kurse për ndërmarrjen “Mushtishti”, në Suharekë, u paraqit vetëm një ofertues, prandaj i mbetet bordit të drejtorëve të AKP-së të vendosë për të.

Ndërkohë, AKP-ja ka shpallur edhe rrethin e 41-të të privatizimit, ku nga 25 ndërmarrje shoqërore do të krijohen 32 ndërmarrje të reja, të cilat do të privatizohen përmes spin-offit të rregullt.