LAJMI I FUNDIT:

Shqiptaret, ndër me të varfrit

Shqiptaret, ndër me të varfrit

Një vlerësim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e klasifikon Shqipërinë si vendin e tretë nga fundi me të ardhurat me të ulëta për frymë në Evropë dhe të fundit në rajonin e Ballkanit.

Vlerësimi i publikuar nga prestigjiozja “The Economist”, i cili u referohet të dhënave të vitit 2009, thotë se të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 3450 dollarë.

Të gjithë fqinjët e Shqipërisë kanë të ardhura për frymë me të larta, duke filluar që nga Bosnja me 4080, Maqedonia 4410, Serbia 5480 dollarë dhe Sllovenia që ka të ardhura rreth 7 herë me të larta se Shqipëria, 24180 dollarë.

“The Economist” shkruan se 20 vjet pas rënies se komunizmit vendet e Evropës Lindore kanë përmirësuar jetesën e qytetareve të tyre, por kjo jo në mënyrë të barabartë, pasi disa vende janë pasuruar me shpejt, ndërsa disa të tjera mbeten ende të pazhvilluara.


Shqipëria konsiderohet si një nga vendet qe ka patur rritje ekonomike ndër me të lartat, në rajon, madje edhe këtë vit së bashku me Poloninë do të jenë vendet e vetme sipas FMN-së që do të kenë rritje pozitive, ndërsa të gjitha vendet e tjera janë zhytur në recension.

Por kjo nuk ka mjaftuar që pas gati 19 vjetësh nga përmbysja e komunizmit, shqiptarët të arrijnë nivelin e mirëqenies edhe të fqinjëve të tyre, jo më vendeve me të zhvilluara.

Sipas FMN, të ardhurat për frymë të një qytetari shqiptar sot janë dhjetë herë me të ulta se sa mesatarja e 15 vendeve të para të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/tch/