LAJMI I FUNDIT:

Urgjent strategjia për zhvillim ekonomik

Urgjent strategjia për zhvillim ekonomik

Përfaqësues të biznesit thanë sot se qeveria duhet të krijojnë urgjentisht një strategji për zhvillimin ekonomik të vendit, në mënyrë që të përcaktohet vizioni për të ardhmen. Komentet u bënë në një tryezë rreth të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së zhvillimit ekonomik, organizuar nga Aleanca Kosovare e biznesit dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë.

Ekonomia e Kosovës në të kaluarën është përballur me sfida të shumta, që kanë reflektuar negativisht në zhvillimin e gjithëmbarshëm. Kjo e kaluar nuk ka qenë e favorshme as për bizneset, të cilat në periudha të ndryshme janë gjendur në kufij të ekzistencës afariste, apo edhe të shuarjes. Por pas luftës, është krijuar një infrastrukturë ligjore dhe mjedis më i mirë për afarizëm, ndonëse ende mbetet shumë për t’u bërë, tha kreu i AKB-së, Agim Shahini.

Ndërsa, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qemajl Smajli, tha se Kosova ka resurse, mirëpo rreth 50 për qind e të rinjve nuk kanë mundësi për punësim.

“Nëse nuk ka prodhim atëherë nuk mund të ketë as standard të dëshirueshëm për qytetarët, të cilët në bazë të këtyre ecurive, mund të varfërohen edhe më shumë në të ardhmen. Në këtë drejtim, Ministria e Punës do të angazhohet për të ndikuar në zbutjen e papunësisë”, ka thënë Smajli.


Edhe udhëheqësi i Universitetit për Biznes dhe Teknologji, Edmond Hajrizi, tha se duhet të krijohet strategjia, respektivisht plani strategjik për zhvillimin ekonomik, për të përcaktuar objektivat dhe qëllimet për të ardhmen, dhe duhet të krijohet qasje sistemore e të gjithë faktorëve.

Ndërkaq, Petraq Milo, zyrtar nga Shqipëria, theksoi se Kosova duhet të mësojë edhe nga përvoja e vendeve tjera, dhe të adaptojë politikat zhvillimore, në favor të bizneseve vendore, por edhe tërheqjen e investimeve të huaja, për shkak se Kosova nuk mund të zhvillohet me kapacitetet e saj.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën e promovimit dhe mbështetjes së eksportit të prodhimeve vendore dhe kërkuan nga qeveria angazhim të shtuar për heqjen e barrierave dhe bllokadave tregtare nga vendet fqinje. /rtklive/