LAJMI I FUNDIT:

Filloi Java e biznesit kosovar

Filloi Java e biznesit kosovar

“Unë konsumoj prodhime vendore, tradita vazhdon”, është motoja e “Javës së biznesit kosovar 2009”, e cila këtë vit për herë të parë po mbahet nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, në mbështetje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Biznesit (AKB) tha se ky është një përkushtim konkret i shtetit, në mbështetjen e promovimit të prodhimtarisë vendore, duke bërë kështu me të fuqishme qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.

Objektivat e AKB-së, sipas tij, janë promovimi i ekonomisë kosovare, rritja e konsumimit të prodhimtarisë vendore si dhe stimulimi i prodhuesit në cilësinë dhe kualitetin sipas standardeve të kërkuara ndërkombëtarisht. Ai gjithashtu tha se synim i tyre mbetet edhe inkurajimi i Qeverisë për të krijuar një ambient më të favorshëm për zhvillimin ekonomik. AKB-ja, sipas tij, me përkrahjen e Qeverisë, ka arritur shumë nga objektivat e veta, por ajo pret edhe më tepër angazhim në sendërtimin e politikave më të favorshme për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, sidomos të atyre që kanë destinim prodhimin dhe eksportin. “Infrastruktura fizike po avancohet, po ashtu edhe ajo ligjore po shënon progres të ndjeshëm, por politikat tatimore e fiskale mund të avancohen edhe më shumë, për t’i hapur frymën investimeve nga jashtë”, pohoi Shahini.

Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës tha se objektivi i tyre i përbashkët është zhvillimi dhe ndërtimi i vendit, krijimi i vendeve të reja të punës si dhe krijimi i një ambienti shumë më të mirë për biznesin kosovar. Ai gjithashtu iu premtoi bizneseve, se Qeveria edhe më tej do të vazhdojë të mbetet, partner i ngushtë i komunitetit të biznesit kosovar.


“Ne kemi ndërmarrë hapa institucional, për të krijuar kushte më të mira për punën tuaj. Ne do të vazhdojmë me përpikëri të respektojmë të gjitha mundësitë që kemi për të iu krijuar kushte shumë më të favorshme për biznesin kosovar”, tha kryeministri Thaçi. Qeveria, sipas tij, gjithmonë do të përkrahë iniciativa të tilla, të cilat kanë si qëllim promovimin e prodhimeve vendore dhe forcimin e prodhuesve, duke siguruar kështu një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik.

Ai tha se është i pamohueshëm fati, që bizneset e vogla dhe të mëdha, kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë 10 viteve të fundit, por Qeveria po shikon mundësi edhe më të mira të krijimit të kushteve për bizneset, pasi që vetëm suksesi i biznesit kosovar është garancë për një zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Synimet e Qeverisë janë krijimi i një ambienti edhe më të mirë biznesi, të ketë siguri të plotë për biznesin tuaj, mbështetje shtetërore duke nënkuptuar edhe lehtësimin e procedurave të të bërit biznes. Kjo nënkupton edhe respektimin e plotë të ligjit, transparencë të plotë në punë dhe betejë të pa kompromis në luftimin e dukurive negative”, pohoi Thaçi.

Java e biznesit kosovar 2009, do të mbahet në shtatë qendra të Kosovës dhe do të zgjasë deri me 18 nëntor. Në këtë projekt do të marrin pjesë 75 kompani prodhuese të cilat do t’i ekspozojnë produktet e tyre.